Sipas autoriteteve, u vodhën tetë sende, duke përfshirë diadema (kurorë me gurë të çmuar), gjerdanë, vathë dhe brosha. Të gjitha janë nga shekulli i 19-të dhe dikur i përkisnin familjes mbretërore franceze.
Ministria e kulturës e Francës tha se sendet e vjedhura ishin:
Një diademë dhe broshë që i përkisnin Perandoreshës Eugénie, gruas së Napoleonit III
Një gjerdan smeraldi dhe një palë vathë smeraldi nga Perandoresha Marie Louise
Një diademë, gjerdan dhe një vath i vetëm nga seti i safirëve që i përkiste Mbretëreshës Marie-Amelie dhe Mbretëreshës Hortense
Një broshë e njohur si “brosha e relikuar”
Midis tyre, këto sende janë të zbukuruara me mijëra diamante dhe gurë të çmuar të tjerë.
Dy sende të tjera, përfshirë kurorën e Perandoreshës Eugénie, u gjetën pranë vendit të ngjarjes, me sa duket të kenë rënë gjatë arratisjes. Autoritetet po i shqyrtojnë ato për dëmtime, shkruan BBC.
Nuñez i përshkroi bizhuteritë e vjedhura “të paçmuara” dhe “me vlerë të pamatshme trashëgimie”.
“Po zhvillohet një garë tani,” tha Chris Marinello, drejtori ekzekutiv i Art Recovery International.
Kurorat dhe diademat mund të thyhen lehtësisht dhe të shiten në pjesë të vogla.
Hajdutët “nuk do t’i mbajnë të paprekura, ata do t’i copëtojnë, do të shkrijnë metalin e çmuar, do t’i riprejnë gurët e çmuar dhe do të fshehin provat e krimit të tyre,” tha Marinello.
Do të ishte e vështirë t’i shisnin këto xhevahire të paprekura, tha ai.
Më parë këtë vit, zyrtarët në Luvër kërkuan ndihmë nga qeveria franceze për të restauruar dhe rinovuar sallat e ekspozitës së vjetër të muzeut dhe për të mbrojtur më mirë veprat e tij të artit.
Në atë kohë, Presidenti francez Emmanuel Macron u zotua se Luvri do të ridizajnohej si pjesë e projektit të Rilindjes së Re – që pritet të kushtojë midis 700 dhe 800 milionë euro (608 milionë – 695 milionë paund; 816 milionë – 933 milionë dollarë). Projekti përfshin siguri të përforcuar.