Çmime të ulëta, tarifa të larta: Si ndikon në tregun kosovar lufta tregtare SHBA-Kinë? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Çmime të ulëta, tarifa të larta: Si ndikon në tregun kosovar lufta tregtare SHBA-Kinë?

    Insajderi
    09 April 2025 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Telefona të mençur, kompjuterë, vegla pune, veshmbathje…

    Këto janë vetëm disa nga produktet me origjinë nga Kina që zënë një vend të rëndësishëm në tregun e Kosovës.

    Së fundi, Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa në mallrat e importuara nga shumica e vendeve të botës. Mallrave nga Kina iu vendos një tarifë masive prej 104 për qind.

    Sa janë të rëndësishme mallrat nga Kina për tregun në Kosovë?

    Megjithëse Kina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, kjo gjë nuk ka penguar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

    Të dhënat zyrtare tregojnë se Kina është ndër importueset kryesore në tregun kosovar, duke u renditur në vendin e tretë për nga volumi i mallrave, pas Gjermanisë dhe Turqisë.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga vlera e përgjithshme e importit prej 6.3 miliardë eurosh, sipas Doganës së Kosovës, mbi 748 milionë euro – ose mbi 12 për qind – kanë qenë produkte kineze.

    Në anën tjetër, eksportet e Kosovës në Kinë kanë qenë të vogla, me vlerë prej 426 mijë eurosh, ose 0.1 për qind të vlerës së përgjithshme të eksportit, që është rreth një miliard euro.

    Produktet e eksportuara përfshijnë xeherore, koncentrat kromi, makina për kositje e fustane.

    Si do ta ndikojnë tarifat e SHBA-së ndaj Kinës tregun në Kosovë?

    Më 2 prill, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi tarifa prej 34 për qind ndaj mallrave kineze, si pjesë e një vendimi më të gjerë, ku vendosi tarifa ndaj shumicës së partnerëve tregtarë. Kosovës iu vendos tarifa bazë prej 10 për qind.

    Dy ditë më vonë, më 4 prill, Kina u kundërpërgjigj me tarifa të njëjta ndaj mallrave amerikane. Katër ditë më vonë, SHBA-ja njoftoi për tarifa shtesë ndaj Kinës, duke arritur në 104 për qind dhe duke i kërkuar Kinës që të tërheqë masat e saj. Më 9 prill – kur tarifat amerikane ndaj Kinës dhe vendeve të tjera nisën të zbatohen – Pekini njoftoi për rritjen e tarifës ndaj mallrave amerikane nga 34 në 84 për qind.

    Këto zhvillime shënojnë një përshkallëzim të luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Kjo përplasje do të ketë pasoja jo vetëm për SHBA-në dhe Kinën, por edhe për gjithë tregun global, përfshirë dhe Kosovën, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.

    Marrë parasysh se Kosova vazhdon të jetë e varur nga mallrat e importuara, thotë ai, vendi do ta ketë të vështirë të shmangë pasojat e këtyre tarifave.

    Bektashi shprehet se tarifat e reja do të shkaktojnë një valë të re inflacioni, e cila do të ndikojë jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë.

    “Nga zbatimi i tarifave, barra do të bjerë në fund të zinxhirit, te konsumatorët. Konsumatorët në të gjithë botën, përfshirë ata në Kosovë, do të blejnë produkte kineze deri në 40 për qind më shtrenjtë sesa paguajnë aktualisht”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Për t’i shmangur këto çmime, Bektashi thotë se kompanitë kosovare duhet të orientohen drejt tregjeve të tjera të Bashkimit Evropian.

    “Në këtë kontekst, tregjet alternative do të gjenden më lehtë dhe do të ofrojnë produkte me cilësi më të lartë, por gjithashtu me çmime më të larta. Humbësi më i madh, nga këto tarifa do të jetë Kina, si dhe disa shtete aziatike me zhvillim të shpejtë ekonomik, si India dhe Vietnami”, thekson ai.

    Për dallim nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kina nuk ka realizuar investime kapitale në Kosovë. Bashkëpunimi mes dy vendeve mbetet në nivelin e importit dhe eksportit të mallrave.

    Marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Kinës

    Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por respekton, siç thotë, integritetin territorial të Serbisë, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e trajton ende si pjesë të territorit të saj.

    Për këtë arsye, dy shtetet nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por Kina ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë, që funksionon nën Ambasadën kineze në Beograd.

    Nëse qytetarët e Kosovës duan ta vizitojnë Kinën, ata duhet të pajisen me vizë, të cilën mund ta kërkojnë në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Viza shqyrtohet në Ambasadën e Kinës në Beograd.

    Ngjashëm edhe qytetarët kinezë, përveç atyre me pasaporta diplomatike, që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën duhet të kenë vizë dhe mund ta marrin atë në ambasadat e Kosovës në Shqipëri ose Turqi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark