
Nafta është rritur me 30 lekë vetëm në 24 orët e fundit. Qytetarët janë ata që preken më shumë nga ky shtrenjtim.
Kanë gjetur si zgjidhje mbylljen e automjeteve nga pamundësia ekonomike.
“Kam automjet, por po lëviz në këmbë sepse s’ka lekë. Kam dy ditë që nuk e përdor makinën. Qeveria duhet të marrë masa. Ka tavan çmimesh”.
Ka edhe nga ata që vijojnë të qarkullojnë sepse janë të detyruar për shkak të punës,shprehen të shqetësuar për rritjen e çmimit të naftës “Kemi punë, çfarë të bëjmë. Thonë që do të rritet akoma.”
Ekspertët i bëjnë apel institucioneve që të shtojnë monitorimet në tregje. Dael Dervishi thekson se pavarësisht ndikimit të tregjeve ndërkombëtare dhe konflikit Rusi-Ukrainë reflektimi në tregun tonë është 30% më i lartë.
“Autoritete si ai Konkurrencës kanë filluar punën për të evidentuar rritjen e menjëhershme të çmimeve, luhatjeve që nuk u korrespondojnë bursave ndërkombëtare. Këtu duhet bërë një transparencë e plotë për të parë si kanë lëvizur çmimet”, thotë ai.
Sygjerojnë shtimin e prodhimit vendas të naftës. Në tregjet ndërkombëtare është konstatuar se çmimi naftës është ulur me 2 % si një përgjigje ndaj deklaratës së agjencisë ndërkombëtare të energjisë e cila është shprehur se po hartohet plan konkret për të ulur ndikimin nga nafta ruse.Gjatë së mërkurës një fuçi naftë po tregtohet me 124 dollarë.