Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ka bërë një hap të rëndësishëm në promovimin e barazisë gjinore duke fituar Çmimin e Rrjetit të CSR të Kosovës për Fuqizimin e Grave.
Ky çmim u nda për kontributin e rëndësishëm në krijimin e mundësive për rritje profesionale për gratë përmes Nismës “Global Engineer Girls”.
Kjo nismë ka si qëllim të inkurajojë vajzat dhe gratë e reja të angazhohen në fusha inxhinierike dhe teknologjike, duke ofruar mbështetje dhe burime për zhvillimin e tyre profesional.
Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës Limak është mirënjohës dhe i nderuar që ka marrë Çmimin e Rrjetit të CSR të Kosovës për Fuqizimin e Grave, për kontributin e rëndësishëm në promovimin e barazisë gjinore dhe krijimin e mundësive për rritje profesionale përmes Nismës “Global Engineer Girls”, thuhet në reagimin e lëshuar nga APN.
Çmimin në emër të aeroportit e pranoi, zëdhënësja Valentina Gara e cila shprehu mirënjohjen e saj për këtë nder.
“Jam e nderuar që në emër të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës të pranoj çmimin e Kosovo CSR Network për Fuqizimin e Grave për iniciativën tonë Global Engineer Girls,” tha ajo.
Gara tha se kjo mirënjohje thekson përpjekjet e jashtëzakonshme të ekipit të përkushtuar dhe mbështetjen e paçmuar nga partnerët e tyre, të cilët përfshijnë Ministrinë e Arsimit, Universitetet Publike, Tintam Sharrcem, Netxxio, Next Gen Networks Institute, ambasadën Finlandeze dhe shumë të tjerë.
Kosovo CSR Network gjithashtu ka publikuar një reagim pozitiv lidhur me këtë arritje, duke e festuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës si fitues të çmimit CSR në Fuqizimin e Grave.
“Nisma e tyre Global Engineer Girls promovon barazinë gjinore dhe u ofron grave të reja mundësi rritjeje profesionale,” theksojnë ata, duke e vlerësuar angazhimin e aeroportit në këtë fushë të rëndësishme.
Me këtë iniciativë, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po kontribuon në një të ardhme më të ndritur për vajzat dhe gratë në Kosovë.