Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, i ka bërë thirrje Kuvendit dhe institucioneve të tjera të vendit, që të adresojnë “në mënyrë të përgjegjshme dy çështjet e hapura, demarkacionin dhe liberalizimin e vizave, si çështje të interesit nacional”.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ministri Çollaku tha se çështjes e demarkacionit “është përgjegjësi e të gjitha institucioneve të vendit si interes madhor dhe adresimi i saj duhet të bëhet sa më shpejt”.
“Kjo çështje duhet të kalojë për debat shumë serioz në Kuvend. Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm që ka përgjegjësinë që të deklarohet në favor ose ta hedh poshtë nëse vjen në përfundim se ka pasur devijime gjatë procesit. Nuk kemi të drejtë ta vëmë në pikëpyetje të ardhmen evropiane të Kosovës dhe nuk kemi të drejtë ta vëmë në pikëpyetje mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonën Shengen”, tha ministri Çollaku.
Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka njoftuar gjatë ditës së martë se ka marrë vendimin për shtyrjen e procesit të votimit në Komitetin për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme të Parlamentit Evropian për 5 shtator me arsyetimin, siç tha, e “përparimit të mangët në përmbushjen e kriterit të fundit, veçanërisht të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”.
Ministri i Integrimit Bekim Çollaku tha se kjo shtyrje ka qenë e papritur dhe bëhet për arsye që tashmë dihet, e që është mos plotësimi i kriterit të vetëm të mbetur -ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
“Deklarata e raportueses Fajon duhet të merret shumë seriozisht, në konsideratë nga institucionet e Kosovës në mënyrë që sa më shpejtë dhe pa vonesa (sepse vonesat janë të paarsyeshme) ta adresojnë edhe këtë çështje të mbetur dhe të shmangim të gjitha arsyetimet që mund t’ju shërbejnë shteteve anëtare dhe deputetëve të Parlamenti Evropian për ta zvarritur vendimmarrjen në favor të Republikës së Kosovës”, tha Çollaku.
Ai tha se nëse nuk do të ketë ratifikim të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi do të vihet në pikëpyetje shumë seriozisht vendimmarrje për liberalizim e vizave në kuadër të institucioneve të BE-së për Kosovën.
“Vihet në pikëpyetje në mënyrë shumë serioze lëvizja e lirë dhe pa viza në zonën Schengen gjatë këtij viti. Për më tepër vihet në pikëpyetje edhe e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës”, tha Çollaku.
Rekomandimin për liberalizim të vizave për Kosovën në muajin maj të këtij viti e bëri Komisioni Evropian, që vuri si kusht fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. I gjithë procesi në institucionet evropiane, përfshirë Këshillin dhe Parlamentin Evropian, u zhvendos në vjeshtë, me gjasën që liberalizimi të mund të bëhet nga fundi i këtij viti.