Reality show “Big Brother” aq shumë ka rrëmbyer zemrat e publikut sa që në kohën kur fillon transmetimi i “Prime-t” hapësirat publike gati sa nuk boshatisën fare.
Këtë e ka deklaruar për Insajderin edhe kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi.
“Në ditët e hënë, e martë, premtë dhe shtunë dallohet dukshëm ulja e nivelit të konsumit në orët në të cilat transmetohet ”Prime”. Në këtë shoh dhe që i njëjti zgjatë 4-5 orë dhe që është shumë”, ka deklaruar ai.
Ndonëse nuk ka ndonjë të dhënë zyrtare, Kllokoqi thotë se niveli i frekuentimit të lokaleve në këtë kohë bie ndjeshëm.
“Kjo i ka shkaktuar jashtëzakonisht shumë dëme sektorit të gastronomisë. Nuk kemi ndonjë hulumtim por personalisht në biznesin tim dhe në atë çfarë raportohet mendohet se ka diku rreth 20% rënie”, ka theksuar Kllokoqi.
Ai ka shtuar se pas pandemisë, gastronmia është dëmtuar rëndë edhe nga ngritja e çmimeve si rezultat i luftës Rusi-Ukrainë.
“Fillimisht kishte rritje të çmimeve për diku rreth 50%, me nivel si asnjëherë me parë të inflacionit i cili u ngrit deri në 19% sipas statistikave të zyrës së Kryeministrit, dhe mesatarisht që u pasqyrua me ngritjen e 140 produkteve bazike dhe natyrisht që reflektoi edhe në shitjen e produkteve dhe shërbimit në sektorin tonë”, deklaroi Kllokoqi.
Sipas tij, zgjidhje për të dal nga kjo krizë është ulja e çmimit të akcizës ose ulja e TVSH-së për së paku 8%. /Insajderi