Çrregullimi i të folurit është një gjendje në të cilën një person ka probleme në krijimin ose formimin e tingujve të të folurit të nevojshëm për të komunikuar me të tjerët.
Për të mundësuar zbehjen e këtij problemi tek fëmijët, duhet të konsultohet një specialist i fushës siç janë logopedët.
Në një intervistë për Insajderin, logopedi kosovar Blend Sahiti ka treguar se kur bëhet diagnostikimi tek fëmijët dhe cilat janë problemet më të shpeshta.
“Logopedi ben parandalimin, diagnostifikimin dhe trajtimin e te gjitha çrregullimeve ne te folur! Disa nga problemet qe logopedi trajton jane: Belbezimi, Dislalia, Disleksia, Disfazia, Afazia, Disgrafia, Te folurit nazal ( rinolalia ), problematikat komunikuese tek femijet me crregullime autike, problematikat komunikuese tek femijet me sindrom down e shume probleme tjera qe lidhen me te folurin”, tha Sahiti për Insajderin.
Logopedi Sahiti tha se deri vonë ky profesion ka qenë shumë pak i njohur. Por sipas tij, tanimë është zhvilluar më shumë si degë.
Ai tha se vizitat tek logopedët janë shpeshtuar në masë më të madhe.
“Deri vone, profesioni i logopedisë ka qenë shumë pak i njohur në Kosovë! Por kohëve të fundit, logopedia është zhvilluar si në numrin e rritjes se logopedëve, në zhvillimin e saj si degë dhe poashtu ne shume sfera tjera! Me anë të rrjeteve sociale e njohurive të ndryshme nëpër burime, logopedia tani po afirmohet shumë, andaj edhe vizitat tek logopedi janë shpeshtuar në masë të madhe”, tha ai për Insajderin.
I njëjti pohoi se disa persona hezitojnë të vizitojnë logopedët për shkak të mendësisë që është krijuar kohë më parë.
“Disa persona hezitojnë vizitën në logoped për shkak të mendimeve te tyre jo relevante me kohën! Kemi pasur shumë raste të hezitimit te disa familjeve të vizitohen në logoped profesionist nga frika bullizuese e të tjerëve ndaj tyre, edhe pse ky fenomen fatmirësisht kohëve te fundit po ulet dita ditës”, tha mes tjerash logopedi”, tha ai.
Sahiti tha se rëndësia e përfshirjes së logopedëve në institucione arsimore është shumë e madhe duke vënë theksin tek klasa e parë deri tek e pesta.
“Rëndësia e përfshirjes se Logopedit ne institucione arsimore është tejet e larte, por sidomos në pjesën e pare ne para shkollore si dhe gjate procesit fillor nga klasa e 1 deri në klasën e 5-te. Arsyja është me se e kuptueshme ne anën logopedike apo psikologjike”, tha për fund Sahiti për Insajderin.