Daçiq i ka thënë gazetarëve se qëllimi i Beogradit është që numri i shteteve të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës të jetë më i vogël se gjysma e anëtareve të Kombeve të Bashkuara, gjegjësisht 96, dhe se “kjo së shpejti do të realizohet”.
Duke komentuar ndalimin e video spotit të Listës Serbe në fushatën parazgjedhore ai ka thënë se “kjo është masë e pashembullt dhe se të gjithë e kanë të qartë se cili është qëndrimi i serbëve në Kosovë, si dhe qëndrimi i gjithë qytetarëve të Serbisë sa i përket pavarësisë së Kosovës”.
“Prishtina po zbaton presione, ndalesa administrative, dhe metoda shtesë, siç është ndalimi i video spotit të Listës Serbe, në mënyrë që serbët në Kosovë të pengohen të votojnë në interes të Serbisë”, ka thënë Daçiq.
Siç ka pretenduar, “pikërisht për shkak të qëndrimit ndryshe mbi statusin e Kosovës, edhe po zhvillohet dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që të arrihet marrëveshje e cila është në interes të dyja palëve”.
“Është e pashembullt ndalesa e qëndrimit të funksionarëve të Serbisë në Kosovë, kjo është masë e cila nuk zbatohet askund në Evropë”, ka thënë Daçiq dhe ka shtuar se “pushteti në Prishtinë do të donte t’i ketë serbët e tyre, të cilët do të votonin sipas dëshirave të tyre”./Insajderi.com.