Kryetari i Kuvendit të Serbisë Ivica Daçiq, nuk ka lënë pa e shfrytëzuar rastin kur presidenti i Çekisë, i cili është i njohur edhe si lobuesi i Serbisë në Bashkimin Evropian, Milos Zeman, kërkoi falje nga Serbia për shkak të bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999, duke thënë se “edhe vendet tjera të cilat kanë marrë pjesë në bombardime duhet të kërkojnë falje nga Serbia”.
“Është e ndershme që një kërkim falje të tillë të na dërgojnë të gjitha vendet të cilat na kanë bombarduar. Këtë duhet ta bëjnë prej Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, përfaqësuesit të lartë të BE, e deri te SHBA, Britania e Madhe, Franca e të tjerët”, ka thënë Daçiq për televizionin pro qeveritar serb TV Pink.
Ai ka pretenduar se nuk flet për atë se “ata duhet t’i amnistojnë udhëheqësit e atëhershëm të Serbisë, për diçka që i kanë akuzuar, por të kërkojnë falje nga populli serb”./Insajderi.org.