Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, sot ka pranuar se Egjipti e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por që ky vend “nuk ka votuar për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare që nga viti 2015”, raporton Tanjug.
Daçiq këtë e ka thënë në fillim të seancës së Kuvendit, në pjesën për pyetjet parlamentare, në konstatimin e deputetes Zagorka Alleksiq, se kryetari i partisë “Serbia e Bashkuar” Dragan Markoviq, gjatë qëndrimit të tij në qytetin egjiptian Hurgada, “ka marrë informacion se nuk ka asnjë dokument në Egjipt se ky vend e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, por që Kosova e llogarit Egjiptin në mesin e vendeve që e kanë njohur atë, bazuar në një deklaratë të ish presidentit Morsi, të cilën ai e dha tri javë para largimit nga pushteti.
“Është e vërtetë se është publikuar që Egjipti e ka njohur Kosovën në ditët e fundit të Morsit. Pasi ministri i jashtëm nuk donte ta bënte këtë, zëdhënësi i qeverisë deklaroi se Egjipti e ka njohur Kosovën. Megjithatë, nuk ka ndonjë dokument zyrtar për një vendim të tillë”, ka thënë Daçiq i cili në atë kohë ishte ministër i jashtëm i Serbisë.
Ai ka thënë se e kishte pyetur në mënyrë të përsëritur ministrin e jashtëm të Egjiptit, Sameh Shukri, i cili, kur ishte për herë të fundit në Serbi, i ka thënë atij se Egjipti nuk dëshiron të tërheq njohjen dhe se ai nuk dëshiron të hyjë në ato çështje, por se gjoja ka thënë “se vendi i tij prej vitit 2015 nuk ka votuar për Kosovën në organizatat ndërkombëtare”.
“Praktikisht, mund të thuhet se njohja është e “ngrirë”, pretendon Daçiq. “Egjipti nuk e tërhoqi njohjen, por nuk voton për Kosovën në organizatat ndërkombëtare, gjë që është e rëndësishme. Sigurisht, do të dëshironim që ata të tërheqin njohjen”, ka shtuar Daçiq./Insajderi.org.