Aty ka marrë pjesë Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës Petrit Selimi dhe Ministri i Jashtëm në largim i Serbisë Ivica Daçiq, ndërkohë që në samitin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor janë vendosur edhe flamujt e Kosovës dhe Serbisë.
Vetëm pak ditë më parë, më saktë gjatë fundjavës, presidenti Serbisë Tomislav Nikoliq ka refuzuar të marrë pjesë në festimet e pavarësisë së Malit të Zi, për shkak të pranisë së Presidentit Hashim Thaçi, shkruan lajmi.net.
Siç dihet Serbia është dakorduar në bisedimet e Brukselit që të jetë bashkëpunuese në iniciativa të tilla. Për këtë tashmë ekziston edhe një marrëveshje me të cilën Kosova përfaqësohet me fusnotë e cila potencon dallimet rreth statusit të Kosovës.
Por Serbia kohë pas kohe nuk e respekton marrëveshjen.
Takimi ministror ka pasur për qëllim përgatitjen e agjendës për samitin e 4 korrikut që organizohet me iniciativë të Presidentit Francois Hollande e ku do të marrin pjesë shefat e shteteve të Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa nga vendet e BE-së do të marrin pjesë Gjermania, Austria, Kroacia, Italia dhe Sllovenia. /Insajderi.com