Kryetari i parlamentit serb Ivica Daçiq i quajti kroatët dhe shqiptarët “vëllezër nga armët”, duke komentuar njoftimin e ministrit të mbrojtjes të Kroacisë se vendi i tij është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
“Për shumë vite dhe dekada, ka pasur një koalicion midis separatistëve kroatë dhe shqiptarë nga ish Jugosllavia. Armët vinin përmes atyre kanaleve”, ka thënë Daçiq në emisionin për TV Pink.
Ai ka shtuar “se shumë politikanë dhe separatistë shqiptarë ishin në ushtrinë kroate, veçanërisht Agim Çeku”.
“Nuk është asgjë e re. Ata janë vëllezër nga armët, ata ishin në çdo luftë, edhe në Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore. Ata ishin në anën e kundërt të shumicës së njerëzimit, por nuk iu mor shumë për të keqe. Nuk iu mor për të keqe edhe kur ata luftuan kundër Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës”, ka pretenduar Daçiq.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë ka pretenduar se në Luftën e Dytë Botërore, “regjimi shqiptar dhe regjimi kroat ishin në shërbim të Gjermanisë naziste”.
“Prandaj e kam plotësisht të qartë se ata janë vëllezër nga armët, por nuk e di se çfarë do të bëjnë me ato armë tani. A flasim ne sot për armë, apo do të flasim për rrugë, turizëm, ndonjë të ardhme të përbashkët?”, ka pyetur Daçiq.
Daçiq me këtë po përpiqet që popullin serb, i cili ka kryer gjenocid në hapësirat e ish-Jugosllavisë, nën udhëheqjen dhe me ideologjinë e Partisë Socialiste Serbe, udhëheqjen e të cilës vet Daçiqi e ka trashëguar nga Kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq, ta paraqet si popull paqedashës, ndërsa viktimat e këtyre krimeve t’i paraqesë si popuj luftënxitës./Insajderi.org.