Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se Serbia është e durueshme në dialogun me Kosovë, pasi vlerëson se dialogu është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje.
Daçiq në intervistë për “New Europen” e Brukselit, ka thënë se nganjëherë po i duket se vetëm Serbia është e angazhuar në dialog. Ai ka thënë se nuk po e kupton se si Kosova ende nuk e ka formuar Asociacionin e Komunave Serbe, që sipas tij është detyrimi i vetëm i marrë nga pala kosovar deri më tash.
“Ne duam të gjejmë një zgjidhje. Nuk duam që çështja e Kosovës dhe Metohisë të mbetet nën status quo. Për sa kohë që nuk ka zgjidhje, komuniteti serb në Kosovë dhe Metohi jeton në frikë për sigurinë e vet dhe të pronave të veta, e cila është e paqëndrueshme. Të dy kishat dhe manastiret tona janë nën presion të vazhdueshëm nga shqiptarët. Incidentet janë të shpeshta, që nga uzurpimi i pasurisë së kishës e deri te dëmtimet e kishave e varrezave. Për këtë arsye duhet të jemi të durueshëm dhe konstruktiv në dialogun që po e zhvillojmë nën kujdesin e BE-së, për një dekadë të tërë. Mirëpo, nuk jam i sigurt se të gjithë në këtë rreth dëshirojnë të gjendet një zgjidhje.
Si shembull, pse Prishtina nuk ka përmbushur detyrimin e vetëm që ka marrë përsipër për tetë vjet, për ta formuar Asociacionin e Komunave Serbe? Nuk besoj se BE-ja, SHBA-ja dhe të tjerët janë aq të pafuqishëm sa nuk mund të ndikojnë në përmbushjen e këtij detyrimi të vetëm. Por, sidoqoftë, ne jemi të durueshëm dhe këmbëngulës, nuk heqim dorë nga dialogu, nuk largohemi nga tavolina e dialogut, pasi e dimë se është mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje. Ne e kuptojmë se zgjidhja nuk mund të jetë ideale për të dy palët, por duhet të na japë hapësirë për të ndërtuar një të ardhme në paqe, pa sulme dhe pa frikë për sigurinë”, ka thënë Daçiq.
Ai ka shtuar se Serbia për anëtarësim në BE ka kushtin politik, çështje ne Kosovës, ndërsa thotë se shtetet e reja anëtare nuk kanë pasur kusht të tillë.
“Kushti kyç politik ka të bëjë me Kosovën e Metohinë. Asnjë anëtar i ri i BE-së nuk ka pasur një kapitull të tillë politik, por është në rregull. Ne jemi zhvilluar një dialog me Prishtinën për gati 10 vjet nën kujdesin e BE-së dhe ne po kërkojmë një zgjidhje për Kosovën dhe Metohinë që do të ishte rezultat i një kompromisi dhe do të sillte paqe dhe stabilitet afatgjatë”, tha Daçiq.