ABC mëson detaje të reja nga aksidenti i frikshëm që ndodhi mbrëmjen e sotme në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Kinostudios në Tiranë, ku një “Benz” luksoz me targa AA 888 XX i drejtuar nga një adoleshent 19-vjeç doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë duke përplasur një vajzë, që po ecte në trotuar.
Sipas burimeve nga spitali, vajza rreth të 30-ve ka humbur njërën nga këmbët nga goditja e “Benz”-it që e mori përplas me shpejtësi rrufe. Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra raporton se e plagosura është futur në sallën e operacionit dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Pasi aksidentoi vajzën, makina mori përpara çfarë i doli duke u përplasur me një zyrë noterie dhe këputur një pemë. Të terrorizuar dhe me duart në kokë nga ajo që u panë sytë, qytetarët shprehen se “vajza ishte në rrugën e vet dhe tani mbeti pa këmbë e shkreta”.
Kalimtarët e rastit i dhanë ndihmën e parë të plagosurës, e cila ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën. Drejtuesi i mjetit u shoqërua në ambientet e Komisariatit nr.4, për veprime të mëtejshme hetimore.Grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe sipas policisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. d.b/Abcnews.al