Inspektorati Policor i Kosovës ka adresuar në Policinë e Kosovës raportin me të gjeturat nga inspektimi që ka kryer mbi konkursin për gradimin e policëve në gradën “Rreshter”, shkruan Insajderi.
IPK kishte konfirmuar dyshimet se përgjatë procesit të testimit ka pasur keqpërdorime e favorizime me ç’rast kishte ndërmarr veprime konkrete duke pezulluar konkursin dhe duke nisur hetimet.
Nga ekipi i veçantë që ishte krijuar ka finalizuar një raport me të gjeturat dhe rekomandime që lidhen me konkursin dhe e ka dërguar në Policinë e Kosovës për koment.
Këtë e kanë konfirmuar për Insajderin edhe IPK përmes një përgjigje online.
“IPK ka realizuar inspektimin mbi “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter” dhe tashmë ka përgatitur Draft raportin e inspektimit. Ky dokument me gjetje dhe rekomandime, konform rregullave të brendshme, i është drejtuar Policisë së Kosovës për dhënien e komenteve. Deri në këtë fazë ende nuk kemi pranuar komentet kthyese nga struktura policore”, thuhet në përgjigje.
Sipas IPK’së, ky raport do të bëhet publik pasi të marrin edhe komentet nga zyrtarët kompetent të Policisë së Kosovës.
Si linden dyshimet për dallavere brenda konkursit për gradim të policëve
Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” që u mbajt më 4 maj. Pas procesit të testimit u ngjallen dyshime se po tentohet të privilegjojë një gjeneratë në kundërshtim me rregullat e institucionit.
Insajderi mëson se brenda gjeneratës së 54-të të Policisë ka policë që janë familjarë të eprorëve të lartë të Policisë së Kosovës e të cilët janë favorizuar për tu graduar si “Rreshter”
Udhëzimit administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policor thotë se zyrtarët e kësaj gjenerate të cilët akoma nuk i kanë bërë dy vjet në detyrë me gradën “Polic i lartë”, nuk kanë të drejtë të gradohen.
Neni 13i “Udhëzimit administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policor” thotë se “Polici i lartë kërkohet të ketë minimumin e qëndrimit në gradë dy vite, i diplomuar në shkollën e mesme dhe ndaj të cilit mos të jetë shqiptuar ndonjë masë disiplinore për shkelje të rënda disiplinore apo vepër penale”, në mënyrë që t’i mundësohet gradimi”.
Po ashtu, parregullsi tjetër ishte edhe rikthimi i testimit me shkrim.
Policia e Kosovë që disa vite ka aplikuar metodën e testimin përmes kompjuterit. Në këtë konkurs është bërë testimi me kopje fizike. Në këtë pikë, Insajderi ka mësuar se ka pasur mundësi që të bëhet dallavere me testet fizik. Gjë që është duke u hetuar edhe nga IPK’ja.
Lidhur me këto hetime Insajderi ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por nuk kanë dhënë detaje lidhur me raprotin.
/Insajderi.org/