Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në konferencën e ftuar për media, pos tjerash, po diskuton edhe për shtesat për rrezikshmëri të Policisë së Kosovës. Deputeti i këtij subjekti politik, Mefail Bajqinovci, ka dhënë shenja se pushteti mund të bëjë dallime në mesin e policëve sa i përket shtesave të rrezikshmërisë.
Bajqinovci ka thënë se nuk mendon se duhet ndalur shtesat, mirëpo se duhet të dallojnë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Policia e Kosovës i ka një mijë shërbyes civilë. Unë nuk mendoj që duhet ndalur shtesat, por dallojnë shtesat, dallojnë për narkotikë e deri tek ata që rrinë në zyrë. Është Qeveria e Kosovës që po punon intensivisht se cili vesion do të jetë më i miri. Andaj, ende nuk e dimë, por e dimë se është duke u punuar shumë me grupet punuese që do të jetë të gjithë palët”, ka deklaruar Bajqinovci.
Sipas deputetit, ende nuk ka version final për atë se si do të ekzekutohen shtesat e rrezikshmërisë dhe për këtë do të flasë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Bajqinvoci deklaroi se kërkesa më e theksuar në mesin e PK-së është pensionimi i parakohshëm.
“Kërkesa më e madhe në Policinë e Kosovës është se si të dalin në pension. Atyre duhet t’iu bëhet halli. Është ka punohet për herë të parë për pensionimin e parë dhe po ashtu për rrezikshmërinë do ta keni versionin e ministrit të Punëve të Brendshme”, ka thënë më tej ai në konferencë. /Insajderi.org/