
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Suharekës, Dardan Berisha, ka prezantuar planin e tij qeverisës për qytetin, në një tubim të mbushur me qytetarë dhe përkrahës.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili vlerësoi lartë energjinë dhe entuziazmin e qytetarëve të Suharekës, si dhe vizionin e Dardan Berishës për të ardhmen e komunës.
“Suhareka ka energji, ka potencial dhe ka njerëz të mirë që duan ta çojnë përpara. Sonte, në mesin e qindra qytetarëve, e pamë qartë: shpresa nuk është vetëm fjalë këtu, por është ndjenjë që bashkon, frymëzon dhe motivon”, u shpreh Krasniqi në fjalën e tij para të pranishmëve.
Ai theksoi se Dardan Berisha është zëri i brezit të ri dhe përfaqësues i një politike ndryshe, duke shtuar se ai dhe ekipi i tij ofrojnë projekte konkrete, përkushtim dhe vizion të qartë për zhvillimin e Suharekës.
Dardan Berisha, në fjalimin e tij, prezantoi shtyllat kryesore të programit qeverisës, të fokusuara në zhvillimin ekonomik lokal, investimet në infrastrukturë, përmirësimin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe rritjen e transparencës në qeverisje.