×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Dardan Zhegrova e Arbërore Sylaj fitues të çmimit “Artistët e së nesërmes”

    Insajderi
    20 October 2016 - 22:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dardan Zhegrova e Arbërore Sylaj janë shpallur sonte fitues të çmimit “Artistët e së nesërmes” gjatë një ceremonie të mbajtur në Prishtinë.

    Kështu ka vendosur juria e përbërë nga Anne Barloëw, Petrit Halilaj, Miran Mohar, Milica Tomić dhe Anna Witt. Juria ka qenë e fascinuar me punën e tyre individuale, dhe me potencialin e bashkëpunimit të tyre në krijimin e një vepre të re në skulpturë.

    Ata e kanë fituar çmimin si duo duke ngadhënjyer ndaj dy finalistëve të tjerë Qëndresë Deda dhe Faton Mazreku.

    Fituesit janë shprehur të lumtur për çmimin derisa kanë theksuar se funksionojnë mjaftë mirë në projektet e përbashkëta. Ata kanë rrëfyer për mesashin që përçon projekti i tyre.

    “E gjithë kjo ka lind krejt spontanisht prej një loje të futbollit ku i kemi parë disa fëmijë djem e vajza duke luajtur, dhe mënyra si kanë luajtur ata ka qenë pa dallim gjinie e moshe dhe i gjithë koncentrimi ishte në lojë, kështu që e kemi marrë atë gjendjen neutrale të tyre, tepër të pastër dhe kemi dashur ta bëjmë këtë skulpturë duke e zhveshur individin nga etnia, raca, gjinia e të gjitha këto”, ka thënë Dardan Zhegrova.

    Ndërsa për Arbërore Sylën lajmi për fitoren në këtë garë ka qenë një befasi e këndshme.

    “Nuk po mundemi me besua hala, është si ëndërr ende. Kjo është një golle e futbollit me disa flokë, ideja ka qenë me krijuar si golla apo caqet që duam t’i arrijmë në jetë, si arrihen ato njëjtë sikur flokët biologjike që rriten. Pra procesi që është i vazhdueshëm si me flokët njëjtë me synimet që i ke në jetë. Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë me Dardanin dhe kështu kuptohemi shumë, kemi gjuhë të përbashkët dhe nuk ka qenë ndonjë sfidë ose problem”, ka thënë Arbërore Syla.

    Nga tetëmbëdhjetë aplikime, juria kishtë zgjedhur tre finalistët në bazë të fuqisë të propozimeve dhe punëve ekzistuese të artistëve.

    Finalistët e çmimit “Artistët e së Nesërmes” 2016 ishin përzgjedhur në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar.

    Çmimi “Artistët e së Nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.

    Çmimi “Artistët e së Nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Ëendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile. / KultPlus.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark