Mbrëmjen e së hënës, më 2 dhjetor, në Prishtinë u organizua Darka e Lamës, një ngjarje që promovon traditën bujqësore dhe rëndësinë e të korrave në Kosovë. Organizator i këtij eventi ishte Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ndërsa pranë tij ishte Kryeministri Albin Kurti, si dhe Shefi i AKI-së, Petrit Ajeti e personalitete tjera. Megjithatë, një figurë e rëndësishme mungoi – ajo e presidentes Vjosa Osmani, e cila nuk u pa askund gjatë këtij eventi.
Për këtë, Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Presidenca për të kuptuar arsyen e mungesës së presidentes dhe nëse ka ndonjë koment lidhur me organizimin e kësaj ngjarjeje nga Ministria e Bujqësisë, pasi Darka e Lamës ka qenë tradicionalisht ngjarje e organizuar nga Presidenca.
Duke mos sqaruar nëse Osmani ka qenë e ftuar, këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, tha se presidentja ka organizuar vetë këtë ngjarje më 26 tetor të këtij viti, pra muaj më parë.
“Darka e Lamës, e inicuar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova është traditë të cilën Presidentja Osmani e ka vazhduar çdo vit, përfshirë sivjet më 26 tetor 2024. Çdo vit nderohen grupe të ndryshme, ndaj përgjatë kësaj pjese të mandatit të Presidentes Osmani, kjo darkë është shtruar për: trupin diplomatik, Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymberi”, banorët e Shtëpisë së të Moshuarve dhe më 26 tetor të këtij viti, me fëmijët dhe të rinjtë e fshatit SOS.”.
Kupina potencoi gjithashtu se Darka e Lamës mbetet një ngjarje nën patronazhin e Presidencës.
“Ruajtja e kësaj trashëgimie është thelbësore për ta vazhduar traditën tonë kombëtare dhe institucionale. Në përputhje me vizionin e Presidentit Rugova, Darka e Lamës është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, e poashtu mbahet në tetor për shkak të kohës kur mblidhen dhe vilen të mirat e tokës sonë. Pra, ashtu siç është nisur nga Presidenti Rugova, ashtu është vazhduar deri tash nga Presidentja Osmani”, ka deklaruar ai për Insajderin.
Sidoqoftë, Darka e Lamës u quajt edhe organizimi që mbrëmë bëri ministri i Bujqësisë, Fton Peci në njërin prej hoteleve të kryeqytetit.
Ai madje tha se këtë darkë e shtroi duke pasur për bazë që kremtimi i saj rikthen në kujtesë amanetin e Ibrahim Rugovës.
Që sipas tij një nga prioritetet e Rugovës ishte “sigurimi i bukës së motmotit për qytetarët tanë”.
“Këtë vit, Darka e Lamës është edhe një nderim për trashëgiminë tonë dhe një reflektim mbi përpjekjet për të zhvilluar bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës. E shënuam në vitin më të begatë për Kosovën, kur siguruam bukën e motmotit falë përkrahjes së Qeverisë, begatisë së Perendisë, transparencës së Ministrisë dhe djersës së ballit të fermerit meritor“, shkroi ai në Facebook.
Pas këtij organizimi, ka pasur reagime të shumta, duke e interpretuar situatën si një ngjarje që nuk kishte asgjë të përbashkët me filozofinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Përkundrazi, organizimi i mbrëmshëm u shikua si një veprim me qëllime politike të thelluara, duke pasur për bazë krisjen e raporteve mes Vjosa Osmani dhe Albin Kurtit.
Në vitin 2002, ish-presidenti Ibrahim Rugova shpalli Ditën e Falënderimeve – Darkën e Lamës si një festë shtetërore.
/Insajderi