Byroja për Çështje Evropiane dhe Euraziatike brenda Departamentit amerikan të Shtetit ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili profesorin amerikan Edward Joseph e kishte quajtur “agjent të shqiptarëve”, raporton Insajderi.
“Taktikat e njollosjes kundër qytetarëve privatë, si ato kundër Edward Joseph, s’kanë vend në shoqëritë demokratike”, shkruhet në reagim teksa bashkëngjitet fotoja e zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Esocbar me profesorin në John Hopkins University, Edward Joseph.
“Zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënie dhe transparencë. Ne çmojmë ata që ndërtojnë shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në reagimin e Byrosë.
Profesori amerikan, Edward Joseph, i cili ka qenë edhe funksionar i lartë në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) në Kosovë, shkroi ditë më parë në Twitter, se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur “agjent shqiptar” dhe i cili “merr shumë para shqiptare”.
Ndryshe Joseph njihet për analizat e tij ku shtjellon politikat destabilizuese të Beogradit në rajon dhe është gjithashtu një kritik i madh i platformës rajonale të Ballkanit të Hapur./Insajderi/