×
  • Lajme
  • Lajme

    DASH i rekomandon Kosovës të shqiptojë dënimet e duhura për trafikim me qenie njerëzore

    Insajderi
    24 June 2024 - 18:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore në mbarë botën.

    Me publikimin e tij, sekretari i Shtetit Anthony Blinken tha se dokumenti ofron vlerësimin më gjithëpërfshirës rreth fenomenit si dhe përpjekjeve të qeverive për ta luftuar atë, përcjell klankosova.tv.

    Ai shtoi se duke matur përparimin e shënuar në 188 vende – përfshirë Shtetet e Bashkuara – Washingtoni synon zbatimin e angazhimit të presidentit Biden për të parandaluar trafikimin, për të ndjekur penalisht autorët e këtij krimi, si dhe mbrojtjen e viktimave të tij.

    Sekretari Blinken tha se rreth 27 milionë individë në të gjithë botën janë të shfrytëzuar për punë, shërbime dhe seks komercial. Nëpërmjet forcës, mashtrimit dhe detyrimit, ata detyrohen të punojnë në fusha dhe fabrika, në restorante dhe banesa. Viktima janë individët më të pambrojtur në botë – duke përfituar nga gjendja e tyre e vështirë.

    Raporti i ndan vendet në tre nivele. Në nivelin e parë përfshihen vendet qeveritë e të cilave respektojnë plotësisht standardet minimale.

    Në nivelin e dytë hyjnë ato vende, përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale, por që qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta arritur një gjë të tillë.

    Në nivelin e tretë futen vendet përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale dhe që qeveritë nuk bëjnë përpjekje në këtë drejtim.

    Kosova këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, renditet në kategorinë e vendeve të nivelit të dytë.

    Kosova

    Në raport thuhet se qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme. Ato përfshinin dënimin e të gjithë trafikantëve me burgim, aty ku ishte e përshtatshme dhe mos shqiptimin e ndonjë dënimi vetëm me gjobë.

    Në raport thuhet se qeveria rriti përpjekjet e përgjithshme parandaluese, përfshirë shtimin e fondeve për fushatat ndërgjegjësuese dhe shpërndarjen e manualeve për parandalimin e trafikimit të fëmijëve.

    Por në raport konstatohet se megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe.

    “Qeveria hetoi dhe ndoqi penalisht më pak të dyshuar dhe identifikoi më pak viktima. Edhe pse gjyqtarët dhanë dënime më të forta, dënimet megjithatë ishin nën dënimin minimal të parashikuar nga ligji kundër trafikimit”, vijon më tej raporti.

    Në raport konstatohet me shqetësim edhe fakti se kodi penal i Kosovës e klasifikon lypjen e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre si neglizhencë, ose abuzim prindëror dhe jo trafikim, duke e vështitëruar identifikimin e kësaj vepre si dhe referimin e viktimave potenciale tek shërbimet e duhura.

    Rekomandime

    Raporti rekomandon hetimin dhe ndjekjen me forcë të krimeve të trafikimit si dhe dhënien e masave të duhura të dënimit për trafikantët, duke përfshirë zyrtarët që bashkëpunojnë me ta.

    Po kështu kërkohet identifikimi në mënyrë proaktive i viktimave të trafikimit duke kontrolluar treguesit e trafikimit mes popullatës së ndjeshme përfshirë individët e përfshirë në seks komercial; fëmijë; komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane.

    Në raport sugjerohet ofrimi i trajnimeve të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe forcat e rendit mbi hetimin dhe ndjekjet penale të rasteve të trafikimit.

    Po ashtu sipas Zërit të Amerikës, DASH, kërkon forcimin e masave të ruatjes së privatësisë së viktimës e që informacionet e tyre të mos shpërndahen.

    Më tej në raport sugjerohet rritje e mbështetjes së qeverisë për shërbimet gjithëpërfshirëse të trajnimit profesional si dhe riintegrimit të viktimave.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark