Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka marrë postin e ushtruesit të detyrës të administratorit të Agjencisë të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), teksa është duke u shqyrtuar mundësia që kjo agjenci të riorganizohet.
“Unë jam ushtruesi i detyrës së drejtorit të USAID-it. Ai kam deleguar atë autoritet dikujt. Unë jam në komunikim me të”, tha Rubio më 3 shkurt gjatë një deklarimi për media gjatë vizitës në El Salvador.
Kryediplomati amerikan nuk tregoi se kujt ia ka deleguar këtë përgjegjësi.
Rubio tha se ka shumë funksione të USAID-it “që do të vazhdojnë” dhe ato, sipas tij, do të jenë pjesë e politikës së jashtme amerikane, por “duhet të jenë në linjë me politikën e jashtme amerikane”.
“E kam thënë shumë qartë gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin tim se çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, ai program do të jetë në linjë me interesat kombëtare të SHBA-së. USAID-i ka një histori të injorimit të kësaj dhe ka vendosur që, disi është një organizatë bamirëse globale, e ndarë nga interesat kombëtare. Këto janë para të taksapaguesve”, deklaroi kryediplomati amerikan.
Më vonë gjatë 3 shkurtit, Departamenti amerikan i Shtetit tha se USAID-i për një kohë të gjatë “është larguar nga misioni origjinal që në mënyrë të përgjegjshme të avancojë interesat amrikane jashtë vendit dhe tani qartazi pjesë të mëdha të fondeve të USAID-it nuk janë në linjë me interesat kryesore kombëtare të SHBA-së”.
“Sekretari Rubio po ashtu ka njoftuar Kongresin se po kryhet një rishikim i aktiviteteve të ndihmës së huaj me synim të një riorganizimi të mundshëm”, tha DASH-i.
Mediat në SHBA kanë raportuar ditëve të fundit se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, duket se po mbyll USAID-in, në kuadër të një morie masash për shkurtime të shpenzimeve qeveritare.
Organizatat humanitare ndërkombëtare kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike.
Në krye të nismës për mbylljen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është Elon Musk, i emëruari i Trumpit për ulje të shpenzimeve qeveritare.
Musk pretendon se administrata mund t’i ulë shpenzimet për 1 trilion dollarë, dhe gjithë lëvizjen e tij e përshkruan si betejë kundër korrupsionit.
Punëtorët e USAID-it kanë pranuar një njoftim se selia e agjencisë në Uashington do të jetë e mbyllur për personelin, më 3 shkurt, “me vendim të udhëheqjes së agjencisë”, kanë raportuar mediat amerikane, si CNN dhe Associated Press, duke cituar disa burime të veta.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Ambasadën amerikane në Prishtinë për të kuptuar nëse një kërkesë e njëjtë i është bërë edhe stafit të USAID-it në Prishtinë, por nuk ka marrë përgjigjje deri në publikimin e tekstit.
Media amerikane, CBS, duke cituar tre zyrtarë amerikanë, ka raportuar se USAID-i do të futet në kuadër të DASH-it dhe do të ketë shkurtim të madh të fuqisë punëtore. Por, agjencia do të mbetet një entitet i ndihmës humanitare. Reuters, ndërkaq, duke cituar një zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë, raportoi po ashtu se SHBA-ja po e shqyrton mundësinë që USAID-i të shkrihet brenda DASH-it.
Uebfaqja kryesore e USAID-it, agjenci që sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ofron më shumë se 40 për qind të të gjithë ndihmës humanitare në botë, ka qenë jashtë funksionit, ndërsa vetë Trump ka pretenduar se agjencia është “udhëhequr prej një grupi të çmendurish radikalë”.
“Jemi duke i larguar ata dhe do të marrim një vendim”, për të ardhmen e USAID-it, u ka thënë ai gazetarëve, më 2 shkurt.