Departamenti amerikan i Shtetit, sipas raportit të vitit 2016, vlerëson se Kosova ka përmbushur kriteret për transparencën fiskale për vitin 2015.
Ky raport përshkruan kërkesat minimale për sigurimin e transparencës fiskale të shteteve, që lidhen në veçanti me përgatitjen dhe publikimin e dokumenteve kyçe të buxhetit në mënyrë të plotë, të besueshme dhe të qasshme për publikun.
Ndërsa, raporti i borxhit publik i vendit është në dispozicion për qytetarët dhe jep informata të plota dhe të besueshme, transparencën në lidhjen e kontratave publike dhe lëshimin e licencave për shfrytëzimin e resurseve natyrore, ekzistencën dhe funksionalitetin e një autoriteti suprem të auditimit të pavarur dhe bërjen publike të auditimeve të tilla, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Të dhënat që i ka përdorur Departamenti amerikan i Shtetit janë nga shërbimet diplomatike dhe konsullore, nga shoqëria civile, nga organizatat ndërkombëtare.
“Kjo transparencë dhe ky sukses është rezultat i të hyrave të mëdha në vitin 2014, përmbushjen e kritereve sipas FMN-së, besueshmërinë sipas partnerëve ndërkombëtar, qasjen në kredi të buta te qeveritë e vendeve të BE-së dhe institucionet financiare ndërkombëtare, në nivel të pakrahasueshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
“Gjithashtu kjo i mundëson Kosovës të ketë qasje në “Fondin Inovativ për Transparencë Fiskale” të Departamentit të Shtetit për 2016, ku mund të sigurohen fonde për të rritur kapacitetet e Qeverisë për ekzekutim të qëndrueshëm, të besueshëm dhe transparent të buxhetit, rritjen e qasjes për qytetarët në shpenzimet publike dhe programet e të hyrave si dhe rritjen e aftësisë së qytetarëve për të avokuar për çështje specifike të cilat lidhen me buxhetin e shtetit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave”, thuhet më tej në komunikatë./Insajderi.com