×
  • Lajme
  • Lajme

    DASH reagon pas arrestimit të Metës

    Insajderi
    23 October 2024 - 08:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

    Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

    “Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

    Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

    SPAK-u e shpalli persona në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun.

    Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, tha për mediat pas takimit me Metën në mjediset e sigurisë, se akuzat janë të pabazuara dhe arrestimi ëshë bërë për qëllime politike.

    Politikanë të tjerë opozitarë e cilësuan veprimin si një sulm politik nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës.

    Meta, ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi pritet të dalin para gjykatës në një seancë ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.

    Krahas akuzave nga SPAK-u për Metën, të martën vazhduan reagimet mbi mënyrën se si u ndalua të hënën në mesditë nga policia ish presidenti i Republikës, i cili e cilësoi ngjarjen si “rrëmbim në mënyrë banditeske”.

    Por ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi në rrjetet sociale se forca lëvizëse operacionale, e specializuar për ndalime sipas standardeve, gjatë zbatimit të vendimit të gjykatës ndeshi me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.

    SPAK-u detajoi të hënën në një njoftim publik se Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark