Mbrojtësi Amir Rrahmani ka pranuar vendimin e trajnerit Xhani De Biazi, për mospërfshirjen e tij në listën e 23 futbollistëve që do të luajnë në finalet e Europianit.
Në një reagim të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Rrahmani thotë se respekton vendimin dhe uron shokët e ekipit që të arrijnë suksese në “Euro 2016”.
“Nuk eshte lehte por duhet te pranosh vendimet e trajnerit. E respektoj kete vendim dhe uroj me gjithe zemer te na bejne shoket tane krenar ne Europian”,-shkruan Rrahmani, njofton Panorama-sport.
Pak kohë para deklaratës së futbollistit, De Biazi deklaroi në një konferencë për mediat se e pati shumë të vështirë vendimin për heqjen e katër emrave nga lista e 27 futbollistëve që kishte grumbulluar për miqësoren me Katarin.
Mbrëmjen e djeshme u publikua edhe lista e zyrtare e 23 futbollistëve që do të shkojnë në Europian dhe Milot Rashica, Amir Rrahmani, Herolind Shala dhe Berat Gjimshiti ishin katër emrat e larguar.