Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar në Deçan për veprën penale “dhunë në familje” dhe “sulm ndaj personit zyrtar” mbrëmjen e së shtunës.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit zyrtar të së dielës. Në raport thuhet se dy të dyshuarit para një muaji kishin ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tyre. Më pas, e kishin mbyllur në dhomë dhe ia kishin marrë telefonin.
“Deçan, 21.09.2024 – 21:35. Është raportuar se viktima femër rreth një muaj më parë është sulmuar fizikisht nga dy te dyshuarit meshkuj –vëllezërit e saj dhe më pas e kishin mbyllur në dhomë si dhe ia kishin marrë telefonin duke mos pasur mundësi ta lajmërojë rastin. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në shtëpinë e sigurt”, thuhet në njoftimin e PK’së.
Policia tutje njofton se përgjatë dërgimit të të dyshuarv për ekzaminim mjekësor, njëri nga ta ka sulmuar zyrtarët policorë.
“Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuarit ku gjatë dërgimit të tyre për ekzaminim mjekësor, njëri prej tyre i kishte sulmuar zyrtarët policorë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes”. /Insajderi.org/