Deçanasit, sot duke filluar nga ora 12:00, do të protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e njeh Manastirin si titullar të pronave, të kontestuara deri më tash.
Në një njoftim për media thuhet se Kuvendi Komunal ka kundërshtuar këtë vendim, të cilin e konsiderojnë politik dhe të dëmshëm për deçanasit.
“Aktgjykimi i fundit (20.05.2016) i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili legjitimon Vendimin e Qeverisë së Serbisë të vitit 1997, për faljen e pronave të dy ndërmarrjeve publike, APIKO dhe ILIRIA, Manastirit të Deçanit, ka nxit reagime të institucioneve dhe qytetarëve të kësaj Komune. Pas këtij Aktgjykimi, Kuvendi Komunal në një Seancë të jashtëzakonshme, ka kundërshtuar Vendimin e Kushtetueses, të cilin e konsiderojnë politik dhe të dëmshëm për deçanasit”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Deçanit.
Njoftimi, po ashtu, tregon se “Këshilltarët komunal, duke parë seriozitetin e gjendjes së krijuar dhe pakënaqësitë qytetare, ka formuar një Komision Komunal të kryesuar nga Kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj, e në të cilin janë edhe përfaqësuesit e subjekteve politike që janë pjesë e legjislativit (AAK, LDK, PDK)”.