Deklarata për trajtimin e serbëve të veriut, Molliqaj del me sqarim – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Deklarata për trajtimin e serbëve të veriut, Molliqaj del me sqarim

    Insajderi
    11 November 2022 - 22:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kreu i PSD’së, Dardan Molliqaj ka dalë me një sqarim pas reagimeve të shumta të opinionit publik për një deklaratë të tij lidhur me trajtimin e serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës.

    Mbrëmjen e kaluar, Molliqaj ka thënë se ka ngjashmëri mes trajtimit të serbëve të veriut me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit.

    “Mënyra si e kemi trajtuar problemin e veriut kohëve të fundit dhe serbëve në veri, unë mendoj se ka rrezik dhe ka ngapak ngjashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviqi”, kishte deklaruar mbrëmë Molliqaj në Pressing.

    Ndërsa, sot Molliqaj tha se nuk ka paralele midis asnjërës qeverie të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit.

    “Sigurisht se nuk ka paralele midis asnjërës Qeveri të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit. Në atë kohe ne kemi jetuar nën segregacion, kurse serbët në Kosovë kanë të drejta të patjetërsueshme, madje përtej demografisë.  Ndjehem i detyruar të sqarohem për ata që nuk kanë arritur ta shohin emisionin tim në Pressing T7, dhe kanë marrë copëza të shkëputura”, ka thënë Molliqaj.

    Tutje, Molliqaj u shpreh se gjatë emisionit ka tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit dhe depolitizimit të serbëve në diskursin e kryeministrit Kurti.

    “Në emision e kam tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit, pra depolitizimit të serbëve në diskursin publik të kryeministrit. Kur flitet për serbët e manipuluar ose për disa serbë të manipuluar, sikur harrohet që shumica dërmuese e serbëve kanë votuar dhe po e përcjellin Listën Serbe. Kur themi kështu, jemi shumë afër kërkesës për “serbin e ndershëm”, siç kërkohej dikur “shqiptari i ndershëm”, ka thënë Molliqaj.

    Sipas Molliqajt, Kurti i ka quajtur ekstremistë rreth 9 mijë qytetarë që nuk i kanë konvertuar ende targat e automjeteve.

    “Ja një shembull: kryeministri Kurti i quajti ekstremistë 9 mijë veta që nuk i kanë ndërruar ende targat. Sigurisht se nuk pajtohemi me këtë veprim të tyre. Veçse a mund të mjaftojë targa për t’i thënë dikujt ekstremist. Si do ta bësh dialogun që e pate premtuar me ta pas këtij cilësimi? Me ekstremistin nuk flitet, ai izolohet, mbyllet. Kaq kam thënë, gjithçka tjetër është mveshje”, ka shkruar sonte Molliqaj në Facebook.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark