Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se arriti t’i sigurojë përreth 250 mijë vota në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Krejt këtë e bëri për t’u veçuar nga narrativa “jo ty të ka përkrah Vetëvendosja”. Një deklaratë e tillë s’u prit mirë nga anëtarë të partisë që vetë Osmani e themeloi, ata të ‘Lista Guxo’.
Aktivisti i ‘Lista Guxo’, Naser Arifi, e goditi Osmanin me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke akuzuar se është bërë me VV’në “vetëm kur punët dalin mirë”. Arifi një kohë ishte truprojë e presidentes aktuale, shkruan Insajderi.
“Unë, unë, unë kur punët dalin mirë, ata, ata, ato kur punët nuk shkojnë mirë!”, ka shkruar Arifi në ‘Facebook’.
Postimi mori edhe pëlqimin e këshilltares së Faton Pecit, Jehona Krasniqit.
Kjo erdhi pas deklaratës së presidentes në ‘Kallxo Përnime’, e cila tha se kur pati kandiduar vetëm mori 200-225 mijë vota, e kur i bashkuan forcat me Kurtin u bën 440 mijë vota, shkruan Insajderi.
“Kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kalume, ka qenë i përbashkët dorën në zemër. Sepse kur patëm kandidu ndamas unë i pata marrë diku 200-225 mijë vota e kur u bashkum i bënëm 440 mijë. Ajo çka po them unë është që ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët, rrjedhimisht ne kemi qenë në krye të fushatës, kandidat për kryeministër dhe kandidat për president. Pra e kemi përkrahur njëri- tjetrin, se kur kjo po përkthehet ‘jo ty të ka përkrah vetëvendosja’, po kadale se kjo gjë ka qenë reciproke, i kemi bashkuar forcat dhe kemi arritur një rezultat të mirë”, tha Osmani.
Kjo deklaratë u shfrytëzua për ironizim edhe nga bashkëkryetari i ‘Listës Guxo’ në Gjermani, Luan Gacaferi. Ai shpërndau një fotografi me disa aktivista atje duke thënë se “e bënë për vota”.
“Edhe unë me Guximtarët këtë foto e bëmë për vota“, shkroi ai në ‘Facebook’.
“Fërkimet” e para të prishjes së Osmanit me VV’në erdhën pas një “dissiratje” të saj me kryediplomaten Donika Gërvalla me këngë të artistes Dafina Zeqiri.
Kryediplomatja Donika Gërvalla me ironi e cilësoi Osmanin si person që bënë veç llafe – llafe. Ky “diss” i Gërvallës për Vjosa Osmanin erdhi në prag të takimit që e para e vendit e ka ftuar me krerët e partive politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja në Kosovë.
Ironia e ministres Donika Gërvalla për presidenten Osmani erdhi para mijëra bashkatdhetarëve ku u ngjit në skenë dhe fillimisht lavdëroi kryeministrin Albin Kurti dhe më pas tha: Tani do të dëgjojmë këngën e presidentes Vjosa Osmani “llafe – llafe”.
Gërvallës, më pas Osmani ia citoi disa rreshta nga një këngë e këngëtares Dafina Zeqiri.
“Nuk do të komentoja raporte, po kemi dallime në qëndrime të cilat janë të qarta, janë publike dhe nuk është as në interes të qytetarëve, as në interes të Kosovës që ato mos të thuhen publikisht. Por ndoshta për detaje ndonjëherë tjetër. Në qoftë se doni pak me këngë të Dafinës me vazhdu, e ka një të re tash, para një muaji: ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve’, ‘me kast, me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe këngë tjera Dafina”, tha Osmani në një konferencë.
Prishja e raporteve u bë e ditur edhe më shumë në zbulimin e shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Komunën e Podujevës përgjatë së dielës.
Presidentja nuk u pa duke përshëndetur edhe Gërvallën e cila po qëndronte në këmbë.
Ajo neglizhoi edhe ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin, i cili hoqi syzet dhe u përgatit t’i fliste. /Insajderi.org/