
Qytetari që është përplasur dje me deputeten e VV-së, Fitore Pacolli ka dorëzuar kallëzim penal ndaj saj. Ndërkohë, policia e Kosovës e ka cilësuar si “kanosje” një përplasje mes një qytetari dhe deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, dje në një lokal në Prishtinë.
Ngjarja ndodhi pasi ai iu afrua tavolinës ku po qëndronte deputetja dhe i ofroi të paguante faturën e saj, duke e akuzuar publikisht për korrupsion.
“Duhet me të ardhë marre që po e vjedh Kosovën. A të kujtohet kur i thojshje hajna, tash i ke ba miliardat”, dëgjohet duke thënë qytetari në një video që qarkulloi gjerësisht në rrjete sociale.
Çka thuhet në kallëzimin penal?
Në dokumentin që ka siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se qytetari i është afruar me gjest simbolik deputetes Pacolli.
Por, që sipas tyre ajo ka reaguar duke ia kapur dorën qytetarit. Në kallëzim pretendohet se veterani u sulmua fizikisht nga deputetja Pacolli dhe asistenti i saj.
“Sepse me datën 25.07.2025 pranë një kafeterie te Komunën e Prishtinës këtu Fitore Pacolli dhe asistenti i tij sulmojnë fizikisht qytetarin keëu palën e dëmtuar Agim Plashnikun ku ngjarja ka rrjedhur në momentin kur Agim Plashniku pasi që iu afrohet deputetes Fitore Pacolli në mënyrë te qetë dhe të kulturar (video-incizimi) qytetari Agim Plashniku në gjest simbolik për të shprehur indinjaten me rrethanat politike te vendit dhe korupsionin e madh që po e mbretëron vendin i afrohet deputetes dhe i thotë “apo ma paguan edhe mua faturën” pra ky gjest simbolik drejtuar deputetes Fitore Pacolli ishte për faktin se ajo ishte e përfshire në një skandal te koruspionít e që skandali është publikuar në çdo portal dhe gjithë qytetarët janë njoftuar për këtë skandal dhe në atë moment Fitore Pacolli ngritet në këmbe i afrohet qytetarit Agim Plashniku dhe e kap për dore duke ngritur zërin dhe piskamën se unë ty nuk te tutem dhe mepas qytetarit Agim Plashnikut i afrohet edhe asistenti i. Fitore Pacollit i cili e shtyën fizikisht qytetarin duke pasur kontakt fizik pra janë incizimet provat materiale dhe dëshmitaret e rastit këtu si personeli i Avokatit te Popullit vet Naim Qelaj i cili ka qenë dëshmitar okular i rastit që do ta dëshmoj situatën e sulmit”.
Aty, madje thuhet se deputetja Pacolli ka akuzuar qytetarin se kishte armë, por pas kontrollit policia nuk i kishte gjetur asgje.
“Sepse me datën 25.07.2025 këtu Fitore Pacolli duke ditur se e njëjta është deputete dhe bart përgjegjësi publike në raport me sjelljen me qytetarët dhe me institucionet e vendit e njëjta bën deklarim të rrejshëm qe me rastin e paraqitjes se saj ne polici dhe nëpërmjet mjeteve te informimit se e njëjta është kanosur me armë nga ana e qytetarit Agim Plashnku duke deklaruar se ai “ ka pasur një çantë afër tij” kjo duke aluduar ne armë por pasi që Agim Plashniku është shoqëruar në polici dhe si rrjedhojë është kontrolluar i gjithë trupit çanta aty nuk është gjetur armë”, thuhet aty.
Sipas tyre, me këtë zonja Fitore Pacolli ka bërë denoncim të rrejshëm dhe lajthitur institucionet e vendit, por edhe veprën penale të sulmit e sanksionuar sipas Kodit Penal të Kosovës.
Reagimi i Fitore Pacollit
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, kishte reaguar pas përplasjes.
Pacolli, tha se sulmi ndaj saj nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar.
“U përballa me një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal nga një person i quajtur Agim Pllashniku. Ky individ njihet në publik dhe nga autoritetet për të kaluarën e tij të dhunshme. Ky sulm nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar.
“Videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat ishin të pranishme në vendngjarje. Gruaja është e punësuar në institucionin e Avokatit të Popullit, ndërsa vajza pritet të jetë kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e PSD-së”, tha ajo.
Sipas saj qytetari ka sulmuar fizikisht asistentin e saj.