
Real Madrid do të duhet të përballojë mungesën e Jude Bellingham për të paktën muajt e parë të sezonit të ardhshëm 2025/2026, pasi mesfushori anglez ka kaluar një ndërhyrje kirurgjikale për një dëmtim në shpatull.
Bellingham e pësoi dëmtimin në muajt e parë të sezonit 2023/2024, në një barazim pa gola ndaj Rayo Vallecano, dhe që prej asaj kohe ai ka luajtur me mbështetje të veçantë në shpatull.
Me kalimin e kohës, mbështetja është bërë më e dobët dhe dhimbja është shtuar, ndaj u vendos që lojtari të kryente një operacion për ta zgjidhur përfundimisht problemin.
Kanë kaluar dy javë që prej operacionit dhe Bellingham ka nisur fazën e rikuperimit. Si pjesë e saj, ai është parë me pushime, dhe në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi ku shihet i qetë jashtë fushës së lojës.
Një fotografi në veçanti ka bërë bujë, pasi mesfushor anglez duket me plagë të dukshme si pasojë e operacionit në shpatullën e majtë.
Bellingham pritet të qëndrojë jashtë fushave për rreth tre muaj. Nëse gjithçka shkon sipas planit, rikthimi i tij në fushë pritet të ndodhë pas ndeshjeve të kombëtareve në tetor.