Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka takuar mbrëmë Memli Krasniqin dhe Bajram Gecajn, anëtarë të kabinetit të Qeverisë së Kosovës, veturat private të të cilëve u sulmuan gjatë ditës së mërkure.
Rreth këtij takimi ka njoftuar vetë zëvendësministri i Administratës Publike, i cili e ka postuar një fotografi në Facebook, ku shihet me ambasadorin dhe ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqi.
Ambasadori amerikan para këtij takimi kishte shprehur brengën e tij rreth sulmit që ndodhi ndaj makinave të bashkëshortëve të Gecajt dhe Krasniqit, duke kërkuar që menjëherë të bëhet ndjekja penale e personave që kanë kryer këto akte.
Të mëkurën reth orës 1 të mëngjesit, vetura e gruas së ministrit Krasniqi, e parkuar afër banesës ku ata jetojnë, është vënë nën flakë pasi është sulmuar me shishe molotovi. Sipas policisë, vetura ishte ë djegur nga dy persona.
Disa orë më vonë, edhe vetura e bashkëshortës së zëvendësministrit Gecaj ishte sulmuar, por që nuk është dëmtuar krejtësisht.
Vetë Gecaj e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për kryerjen e këtyre sulmeve.
Qeveria e Kosovës i ka quajtur këto raste si sulme të grupeve anarkiste parapolitike. /Insajderi