
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se partia e saj nuk është pishman për votimin e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit. Ajo theksoi se PDK-ja e ka mbajtur fjalën për të mbështetur çdo kandidat që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti si ministër.
Duke komentuar artikullin anti-UÇK ku Basha është bashkautor, Deliu-Kodra tha se nuk është vetëm kryekuvendari që ka denigruar luftën çlirimtare. Sipas saj, ka shumë ministra dhe eksponentë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje që kanë vepruar në të njëjtën mënyrë.
“Nuk është vetëm Dimal Basha ai që e ka baltosur luftën tonë çlirimtare, figurat tona që kanë qenë udhëheqës, krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju tashmë i dini deklaratat e ministrave dhe eksponentëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë vazhduar ta baltosin atë që është vlera jonë jetike”, u shpreh Deliu-Kodra.