
Tashmë është e qartë – pa ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, s’ka liberalizim të vizave. Këtë qartësi e jep ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku.
Ai në një intervistë për gazetën “Zëri”, ka thënë se Kosova duhet ta përmbushë edhe kriterin e fundit për liberalizim të vizave, e që është ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Kjo për faktin, siç thotë Çollaku, që të mos u lihet hapësirë vendeve të Bashkimit Evropian që të dalin kundër vendimit.
Çollaku ka shtuar se ky kusht specifik është kërkuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, të publikuar në dhjetor të 2015 dhe përsëri është kërkuar në rekomandimin për liberalizimin e vizave të Komisionit Evropian.
“Tani është koha për qartësi dhe të pranojmë se ky është një kusht i vendosur nga BE-ja dhe si i tillë nuk mund të anashkalohet”, është shprehur Çollaku. /Zëri/