Demarkacioni lë në hije proceset tjera të rëndësishme - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Demarkacioni lë në hije proceset tjera të rëndësishme

    Insajderi
    14 July 2016 - 15:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe për afërsisht një vit po dominojnë skenën politike në Kosovë, duke lënë në plan të dytë çështjet tjera të interesit, siç janë zhvillimi ekonomik, reformat dhe zhvillimi i demokracisë së brendshme.

    Kështu vlerësojnë analistë të zhvillimeve politike dhe ekonomike. Përderisa nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, thonë se qeveria nuk ka lënë anash as politikat e përgjithshme zhvillimore.

    Megjithatë, Demarkacioni apo edhe Asociacioni i komunave serbe, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ekspertëve ka ngufatur agjendat tjera politike dhe ekonomike që janë më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

    Analisti Driton Selmanaj, nga Demokraci Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto dy tema kanë penguar zhvillimin në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë madje, kanë penguar edhe proceset në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

    “Mosgatishmëria dhe mosqasja profesionale e qeverisë dhe nga ana tjetër koncentrimi i opozitës vetëm në dy tema (Demarkacionin me Malin e zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe), duke munguar edhe alternativat konkrete të zgjidhjes së tyre kanë mbajtur pengë dhe po vazhdojnë të mabjnë gjitha proceset e zhvillimit ekonomik, sociale dhe kulturore të shtetit të Kosovës”, thekson Selmanaj.

    Qysh nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie, shton analisti Selmanaj, është vërejtur një përpjekje e vazhdueshme e partive politike në opozitë që të imponojnë si agjenda kryesore demarkacionin dhe asociacionin.

    Por, po ashtu, sipas Selmanaj është parë edhe një jo gatishmëri dhe jo profesionalizëm nga ana e Qeverisë së Kosovës për t’i trajtuar seriozisht dhe për t’i dhënë sqarimet e duhura për këto tema.

    Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në fund të muajit gusht të vitit të kaluar në Vjenë. Por, ajo nuk është ratifikuar ende në Kuvendin e Kosovës, pasi që partitë opozitare kanë kundërshtuar këtë marrëveshjes duke e cilësuar atë “të papranueshme dhe në dëm të vendit”.

    Përkundër kritikave që bëhen në adresë të qeverisë së Kosovës për lënie anash të çështjeve tjera më me rëndësi për zhvillimin e vendit, këta të fundit thonë të kundërtën.

    Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se qeveria ka vazhduar të punojë edhe në çështjet tjera, sidomos në fushën e ekonomisë dhe se nuk ka vonesa në asnjë projekt.

    “Përkundër faktit ndoshta se vëmendja me e madhe në publik dhe në media mund të jenë çështjet si Demarkacioni apo Asociacioni nuk mund të konsiderohet se janë lënë anash aspektet e zhvillimit ekonomik. Ta kemi parasysh që ditë më parë ndodhi edhe Samiti i Parisit, por vëmendja e medieve nuk ishte adekuate sa do të duhej të ishte, marrë parasysh tematikat tjera”, thotë Havolli.

    Janë pikërisht çështjet ekonomike të cilat lidhen me zhvillimin ekonomik dhe punësimin e qytetarëve të Kosovës ato të cilat, sipas ekspertëve të ekonomisë, thuhet të kenë pësuar më së shumti gjatë kësaj periudhe kur qeveria e Kosovës në fokus ka pasur demarkacionin me Malin e zi.

    Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime strategjike STRAS, Ibrahim Rexhepi,thotë për Radion Evropa e Lirë, se problemet thelbësore të qytetarëve të Kosovës si papunësia dhe varfëria, janë ato të cilat kanë mbetur të pa adresuara.

    “Rasti më konkret i lënë anash nga Qeveria është çështja e Brezovicës, dështimi i këtij projekti. Kjo tregon se për çështjet serioze për zhvillimin ekonomik, qeveria nuk është e fokusuar, jo pse nuk dëshiron të merret por përqendrimi i saj në përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave që është një premtim elektoral ka lënë anash çështjet tjera që lidhen me punësimin dhe çështjeve socialet”, shton Rexhepi.

    Papunësia është njëra nga problemet më të mëdha më të cilët ballafaqohen qytetarët e Kosovës, që nga pas lufta. Shkalla e papunësisë, sipas të dhënave të fundit zyrtare ka arritur në mbi 35 për qind. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark