Disa prej deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vendosur sot një table të shtetit të Kosovës aty ku sipas tyre duhet të jetë kufiri me Malin e Zi.
Sipas tyre, pika kufitare me Malin e Zi, për qytetarët e Republikës së Kosovës, është në Kullën e Zhlepit dhe tek Maja e Çakorrit, e që është disa kilometra më larg se sa kufiri i paraparë me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi të bërë nga Qeveria e Kosovës.
“Historia jonë kombëtare njeh disa raste kur politikanë të caktuar, për interesa personale, u kanë shitur shteteve fqinje pjesë të territorit tonë. Përkundër përpjekjes së Hashim Thaçit dhe qeverisë së Isa Mustafës për t’ia shitur Malit të Zi edhe mbi 8000 hektarë të Kosovës, ne nuk do të lejojmë që kjo histori të na përsëritet”, njofton Vetëvendosje përmes një komunikate për media.
“Nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që për interesa personale të një grupi kriminal në pushtet, të zvogëlohet territori i Kosovës. I bëjmë thirrje edhe njëherë Qeverisë së Kosovës që të mos e provokojë situatën më tutje duke e sjellë në Kuvend atë marrëveshje tradhtie”.
Vetëvendosje dhe dy partitë e tjera opozitare – Nisma dhe AAK – kanë organizuar një numër protestash ku ndër pikat kryesore ka qenë kundërshtimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi./Insajderi.com