Pas katër ditëve mungesë në rrjetin social, Facebook, presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi është rikthyer në këtë rrjet social.
Edhe pse i njohur për aktivitetin e tij të shpeshtë në këtë rrjet social, Thaçi është zhdukur nga ky rrjet për disa ditë.
Herën e fundit që ka postuar diçka në Facebook ka qenë 26 marsi kur ka kujtuar përvjetorin e bombardimeve të NATO-s dhe ka përshëndetur këtë intervenim humanitar të aleatëve ndërkombëtarë të ushtrisë.
Tash ai është rikthyer këtu për të përshëndetur disa aleatë të tjerë, që nuk kanë të bëjnë me ushtrinë por me kufirin.
Thaçi ka përshëndetur punën sipas tij profesionale të ekspertëve ndërkombëtar për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ai ka shkruar se vlerësimi i komisionit ndërkombëtar i cili ishte iniciuar nga paraardhësja e tij në postin e presidentit, Atifete Jahjahga, ka dhënë një përgjigje të saktë dhe profesionale rreth kësaj çështjeje.
Thaçi ka shkruar se Kosova do të vazhdojë të ndërtojë raporte të mira me të gjitha vendet e rajonit, duke përmbyllur edhe procesin e demarkacionit mes shtetit te Kosovës dhe atij të Serbisë.