Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV), ka paraqitur sot raportin e me të gjeturat nga monitorimi i fushatës për zgjedhjet në Drenas.
Në raportin e DnV-së, thuhet se fushata në Drenas ka filluar para kohës së caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Kandidatët kishin filluar të bëjnë fushatë shumë më herët dhe kjo për shkak që korniza ligjore nuk përcakton sanksione. Rrjedhimisht rregullimi i sanksioneve duhet medoemos të adresohet në reformën zgjedhore”, thuhet në raport.
Sipas DnV-së, fushata ka qenë e qetë, por ka pasur disa parregullsi si përdorimi i fëmijëve në fushatë dhe shfrytëzimi i veturave zyrtare por edhe prani të shërbyesve civilë në tubime.
”Vendosjen e materialeve propaganduese të kandidatëve në shenja të komunikacionit, shtylla elektrike, hapësira publike të cilat nuk janë të destinuara për këtë qëllim. Në raste të caktuara edhe gjuha e përdorur ka qenë ofenduese për kundër kandidatët”, thuhet në raportin e DnV-së.
DnV për shkeljet e evidentuara ka dorëzuar dy ankesat e para në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj dy subjekteve të ndryshme politike.
“Edhe gjatë ditës së zgjedhjeve fokusi jonë do të jetë në mbledhjen e fakteve në rast të keqpërdorimeve dhe dorëzimin e tyre para organeve përgjegjëse”, theksohet në njoftimin e DnV-së. /Insajderi.com