×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Demokratët në Kongres i kërkojnë Bidenit t’i sanksionojë ministrat izraelitë

    Insajderi
    14 November 2024 - 22:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gati 90 ligjvënës demokratë i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, t’i sanksionojë anëtarët e Qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për shkak të dhunës kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, sipas një letre të publikuar të enjten.

    Duke i bërë thirrje Bidenit të përçojë mesazh për partnerët e SHBA-së para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë, anëtarët e Kongresit thanë se pjesëtarët e kabinetit izraelit, ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe ministri për Siguri Kombëtare Itamar Ben-Gvir, kanë nxitur dhunë nga kolonët izraelitë në territorin e uzurpuar.

    “Po ju shkruajmë për ta shprehur shqetësimin thonë të thellë për rritjen e dhunës së kolonëve, zgjerimit të vendbanimeve, dhe masave të miratuara për ta dobësuar Autoritetin Palestinez, gjë që destabilizon Bregun Perëndimor”, thuhet në letër.

    Në këtë letër, e nënshkruar nga 17 senatorë dhe 71 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, thuhet se kolonët izraelitë kanë kryer mbi 1.270 sulme të regjistruara kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, që i bie më shumë se tri sulme të dhunshme në ditë mesatarisht.

    Letra, e datës 29 tetor, u bë publike këtë të enjte, për shkak se ligjvënësit nuk kishin marrë përgjigje nga Shtëpia e Bardhë, thanë tre anëtarë të Kongresit.

    Senatori demokrat Chris Van Hollen dhe anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, Rosa DeLauro dhe Sean Casten, u thanë gazetarëve se Biden e ka autoritetin të vendosë sanksione sipas një urdhri ekzekutiv ekzistues.

    Ata thanë se një veprim i tillë do të dërgonte mesazh jo vetëm për Izraelin dhe palestinezët, por edhe për aleatët e SHBA-së në pjesë të tjera të botës, se Shtetet e Bashkuara do t’i shtyjnë përpara çështjet humanitare.

    “Ne mendojmë se është më e rëndësishme se kurrë që presidenti Biden të deklarojë tani se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i mbështesin verbërisht veprimet ekstreme të Qeverisë së Netanyahut”, tha Van Hollen.

    Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur për dekada një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve dhe kanë bërë thirrje që Izraeli të mos zgjerojë vendbanimet.

    Bregu Perëndimor është ndër territoret që Izraeli i pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967, dhe ku palestinezët, me mbështetje ndërkombëtare, kërkojnë të krijojnë një shtet.

    Shumica e fuqive botërore e konsiderojnë të paligjshëm ndërtimin e vendbanimeve izraelite në atë zonë. Izraeli e kundërshton këtë, duke përmendur pretendime historike mbi Bregun Perëndimor dhe duke e përshkruar atë si një mburojë sigurie.

    Këtë javë, ministri i Financave Smotrich u zotua se më 2025 do të aneksohen vendbanimet izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke e cilësuar rikthimin në pushtet në Shtetet e Bashkuara të Donald Trumpit si “mundësi e rëndësishme”.

    “Viti 2025, me ndihmën e Zotit, do të jetë vit i sovranitetit në Judea dhe Samaria”, tha ministri i ekstremit të djathtë, duke përdorur emrat biblik për Bregun Perëndimor./REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark