×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dëmtim buxheti, punësime militantësh e shkelje të tjera | Ish-zyrtari i “Hidrodrinit” njofton Kryeministrin Kurti për keqpërdorime në këtë ndërmarrje

    Insajderi
    28 February 2024 - 15:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Për 7 muaj që ka ardhur në detyre, KE (Dri Cena) i ka punësuar mbi 40 punëtore duke u thirr në VV dhe Qeverinë ( gjë që nuk është e vërtetë, të punësuarit janë në parti tjera shumica), punësimet janë bere  me plot shkelje ligjore. Si rezultate e shkeljeve ligjore në procedurat e rekrutimit dhe ndërprerjen e kundërligjshme të marrëdhënies së punës kompania pëson dëme financiare”, kështu thuhet në një letër që i ka shkuar Kryeministrit Albin Kurti. Gazeta Insjderi ka siguruar një kopje të këtij denoncimi, për dyshime për keqpërdorime në këtë ndërmarrje, për çka Ministrja Artane Rizvanolli është njoftuar edhe më herët

    Gazeta Insajderi

    Më 14 shkurt 2014 Kryeministri Albin Kurti mund të ishte duke festuar ose ditën e të dashuruarve, ose edhe fitoren e madhe të vitit 2021 kur mori mbi 51 % të votave për tu bërë kryeministër. Por, këtë ditë në e-mailin e tij zyrtar ka shkuar edhe një denoncim nga një ish-punonjës i ndërmarrjes publike “HidroDrini” në Pejë që ka denoncuar Kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Dri Cena.

    Në këtë denoncim, një kopje të së cilit e ka siguruar Gazeta Insajderi, ish-zyrtari ligjor i ndërmarrjes në fjalë, Fisnik Ferati ka renditur një sërë pretendimesh që sipas tij janë shkelje ligjore, punësime partiake e edhe dëmtim i buxhetit të ndërmarrjes me veprime anti-ligjore të Cenës.

    “I nderuar Kryeministër z.Albin Kurti. Me lejoni që të përmes kësaj shkresë të ju drejtohem në lidhje me disa shqetësimet të mija si Zyrtar Ligjor në KRU “Hidrodrini“Sh.A.,  ku në këtë pozite jam tani e 16 vite. Pas përfundimit të pushimit pa pagës prej gjashtë muajsh kthehem në punë me datën 09.01.2024, të njëjtën ditë dhe datë  e kam pasur një incident me Kryeshefin Ekzekutiv z.Dri Cena i cili me dhunë me ka larguar nga zyra duke me tërhequr zvarrë për krahu dhe duke me fyer me fjalët “pis dhe idiot”, vetëm pse kam kërkuar që të mbetem në vendin e njëjtë aty ku isha tani e 16 vite”, e nis kështu ai letrën e tij dërguar Kryeministrit Kurti.

    Duke kërkuar mbrojnë e të drejtave të mija si qytetar i Republikës se Kosovës, thotë ai në institucionet e rendit  e kam lajmëruar  rastin menjëherë.

    “Për rastin në fjale kam informuar  edhe Bordin e Drejtorëve si dhe Ministren Rizvanolli, asnjëra palë nuk me janë përgjigj asnjëherë në emalin e adresuar tek të njëjtit si organi me i lartë në kompani”, i tregon Ferati Kryeministrit Kurti për faktin që edhe vartësja e tij, Artane Rizvanolli ishte në dijeni me zhvillimet.

    Ai thotë se hapja e rastit si shënim i veçantë në Polici për dyshimin për sulm nga Kryeshefi Dri Ceni, nuk e ka pasur për qëllim me dëmtuar Cenën, “por vetëm me parandaluar qasjen jo të mirë të tij ndaj meje. Lënda ka mbet vetëm shënim zyrtar në polici e prokurori. Kryeshefi prapë nuk ndalët dhe vazhdon sulmin ndaj meje. Ai i bën kërkesë me email Sekretares së kompanisë të hap Komision Disiplinor ndaj meje me arsyen që unë i kam tregu Ministres, Bordit dhe e kam denoncuar në polici. Pas refuzimit të sekretares për inicimin e rastit duke mos ju prezantuar kërkesë për inicimin e rastit disiplinor e as prova nga KRYESHEFI, KE – inicion procedurën disiplinore vet”, thuhet tutje në denoncim.

    Punësim militantësh, vendime të paligjshme e dëmtim buxheti

    Ish-zyrtari ligjor i “HidroDrinit” e ka njoftuar Kryeministrin Kurti, por jo vetëm atë, edhe me një sërë veprimesh që ai pretendon se janë të kundërligjshme nga Kryeshefi i kësaj kompanie, Dri Cena.

    “I lartcekuri që nga ardhja në këtë pozitën e  Kryeshefit  Ekzekutiv që 7 muaj në vazhdimësi bën shkelje ligjore si ato vendime  për anulim të konkursit për zyrtar ligjor (konkursi 1 dhe 2 edhe pse më tepër se 3 kandidatë kishin plotësuar kushtet)”, thuhet në këtë letër…

    Për 7 muaj që ka ardhur në detyre, “KE ka punësuar mbi 40 punëtore duke u thirr në VV dhe Qeverinë ( gjë që nuk është e vërtetë, të punësuarit janë në parti tjera shumica), punësimet janë bere  me plot shkelje ligjore. Si rezultate e shkeljeve ligjore në procedurat e rekrutimit dhe ndërprerjen e kundërligjshme të marrëdhënies së punës kompania pëson dëme financiare, po ju cek vetëm dy vendimet e fundit  si me poshtë: Vendim nr.03/V/039/24/21/1275, gjoba nga IP vlera 1,500€ dt.30.01.2024 ( shkelje e procedurave të rekrutimit). Aktgjykimi nr. C.nr.2302/23  për ndërprerjen e marrëdhënies se punës kundërligjshme shuma ne vlerën 8,000€  e datës 06.02.2024”, thuhet në këtë letër.

    Ditë më parë u raportua se motra e gruas së asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Berat Ganiqi, është punësuar në pozitën e inspektores në ndërmarrjen publike KRU “Hidrodrini” në Pejë.

    Deniza Zatriqi është njëra nga dy inspektorët e përzgjedhur në konkursin në të cilin janë gjetur shkelje e është gjobitur KRU “Hidrodrini” nga Inspektorati i Punës.

    Përveç kësaj, për zgjedhjen e Zatriqit si inspektore ishte ankuar Agron Lajqi, bashkëpartiaku i Berat Ganiqit, i cili kishte aplikuar për të njëjtën pozitë.

    Denoncoi, por nuk u dëgjua- Fisnik Ferati e kishte lajmëruar edhe Ministren Rizvanolli

    Fisnik Ferati, ish-zyrtar ligjor në “HidroDrini” kishte hapur një rast sulmi, që e la vetëm si shënim zyrtar në Polici e prokurori në Pejë nga, siç ai pretendon, Kryeshefi Dri Cena.

    Për këtë rast ai në e-mail e kishte mbajtur të informuar edhe Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e edhe bordin e ndërmarrjes.

    “Nëpërmes këtij e-mail ju njoftoj  edhe  me shkrim lidhur me incidentin e datës 09.01.2024 qe e kisha me Kryeshefin Ekzekutiv Dri Cena. Unë pas përfundimit të pushimit pa pagesë në periudhë 6 (gjashtë) mujore kam filluar punën me datën 09.01.2024, për të cilën ju kam njoftuar edhe me email qe do ta filloj punën sipas afatit ligjor. Me datën 09.01.2024 unë erdha në punë si punëtor i rregullt por nuk e kisha çelësin e derës për të hyrë në zyrën time sepse atë çelës ma ka marrë Kryeshefi Dri Cena kur unë kam dal në pushim pa pagesë. Momentin qe erdha në punë shkova për tu lajmëruar tek Kryeshefi për tu përshëndetur me të dhe njeherit ta njoftoj qe nga tash e tutje unë do të dal në punë i rregullt dhe po ashtu desha të bisedoj me të për gjërat aktuale të Kompanisë dhe si të bashkëpunojmë dhe të veprojmë në të mirën e Kompanisë sepse edhe unë jam zyrtar i kësaj Kompanie qe 15 vite.

    Momentin qe hyra aty ishte i pranishëm edhe Zyrtari Kryesor Financiar z.BesniK Zeqiraj. Ndërkohë erdhi edhe një zyrtar nga Policia dhe unë u përshëndeta me të dhe dola nga zyra për ti lë të bisedojnë lirshëm. Momentin kur e kuptova qe ka dal zyrtari  Policor nga zyra e Kryeshefit, unë shkova prapë- Hyra në zyre dhe u ula dhe fillova të bisedoj si njeri normal me Kryeshefin.

    KE- fjalën e parë ma tha ta kam ndërruar zyrën dhe të kam vendos me Sekretaren në zyrë duke mos e paraqitur asnjë dokument për këto ndryshime. Unë ju drejtova butësisht dhe i thash zotëri Kryeshef  a bon me më lenë në zyrën ku kam qenë sepse në atë zyre ka vend për 3 (tre) persona sepse ashtu edhe kemi qenë 3 persona në zyre edhe normal zyrtaret  ligjor duhët të jenë bashkë në një zyre e jo të ndarë.  Po ashtu  edhe Sekretarja e Kompanisë qe nga fillimi i pranimit në punë  ka qene kërkesë e saj  ta ketë zyrën vet ku edhe ashtu e ka filluar punën duke qen ne zyre vet”, thuhet në letrën e gjatë të këtij ish-zyrtari se si ndodhi incidenti që ai pretendon se ishte sulm nga Dri Cena.

    “Në atë moment Kryshefi mu përgjigj me sjellje arrogante dhe me tone të larta dhe me tha: A mos ta ka pas lanë baba me tapi ketë zyre ty, shko me sekretaren ndaq me shku në zyre, nëse nuk don baju shko në shpi edhe te ndërkrehet Kontrata. Edhe me tha nuk e din ti qe krejt flasin keq për ty edhe Bordi gjithçka flet keq për ty. Unë prapë i thash Drejtor të lutëm mos u sjell kështu me mu se edhe unë jam zyrtar i kësaj kompanie, edhe pse këtë qasje prej fillimit e ki kështu me, nuk e di aryesen!!.  Ai me tha: Unë boj çka te dua këtu edhe çu dil hup prej këtu. U ngrit në këmbë dhe erdhi ne drejtim timin duke bërtitur me zë të lartë dil jashtë dhe duke me fyer me fjalët Pis, Idiot, etj , me kapi për krahu dhe më tërhoqi zvarrë deri tek dera, me qiti jashtë dhe u mundua për të më goditur me derë. Ndoshta kjo pjesë mundë të shihet edhe nga kamerat e sigurisë. Aty brenda i pranishëm ishte edhe Zyrtari Kryesor Financiar z.Besnik Zeqiraj”, thuhet tutje në letrën, që i ishte dërguar edhe Ministres Rizvanolli

    Ai ka treguar edhe se si ndodhi ngjarja tutje.

    “Në atë moment nuk kam ditur se çfarë të bëjë dhe kam shkuar drejt në banjo, dhe nga aty i kam thirrur policinë në telefon dhe ju tregova per incidentin qe me ndodhi. ata me ftuan qe te shkoj në stacion Policor qe ta japë një deklaratë. Para se të nisën në stacion Policor i tregova sekretares ne lidhje me rastin ku edhe me sekretarja e Kompanisë kIshte degjuar zhumre dhe përplasje te derës ne zyrën e KE.

    Unë i tregova Sekretares në pika të shkurta dhe shkova në polici. Kjo ishte e tëra çka ndodhi”, thuhet tutje në këtë letër.

    Ai ka treguar edhe pse vendosi ta dërgonte Kryeshefin Dri Cena në Polici. Ngrit dyshime se u bë me qëllim kundër tij, pasi që edhe paraardhësin e Cenës e kishte denoncuar nën dyshimin për shkelje ligjore.

    “Pasi qe unë e kam ndjerë vetën të ofenduar dhe te sulmuar nga Kryeshefi ekzekutiv atëherë shkova ne Polici dhe e bëra këtë denoncim dhe tani Policia janë duke u marr me RASTIN ku edhe i kanë ftuar DY  dëshmitar.

     Dyshoj se kjo qasje e Kryeshefit ndaj meje është për shkak se ky ka raporte të ngushta me ish KE-  Agron Tigani, të cilët vinin në zyrat e Kompanisë pas orarit të punës të shoqëruar dhe të vëllazëruar. Sepse unë edhe -ish Kryeshefin A.TIGANIN  e kam denoncuar  në Polici dhe Prokurori për shkeljet ligjore qe janë bërë në Kompani dhe për presionin qe ai e ka bërë në punëtor për ta shkelë ligjin”, thuhet në letrën në fjalë, një kopje të së cilës e ka Insajderi.

    Fisnik Ferati, pasi që dha dorëheqje nga ndërmarrja, siç i ka treguar Insajderit, i ka ardhur edhe vendimi për masë disiplinore për rastin kur e dërgoi Dri Cenën në polici nën pretendimin për sulm, ani pse e konsideron që pas dorëheqjes së pa revokueshme nuk mund të merren këso masash.

    “Ky vendim nuk ka efekt juridik pasi merret për një punëtor që qe një jave me herët ka dhëne dorëheqje. Por kjo shihet qarte se ai ka për qellim te me sulmoj vazhdimisht mua deri sa te me largon përfundimisht nga Kompania. Unë u largova por Hidrodrinit po ja lë një Kryeshef qe është mbi ligjin dhe jo ligji mbi te”, i ka thënë Insajderit në një prononcim Fisnik Ferati.

    Ai i kishte treguar edhe Kryeministrit Kurti se është i vetëdijshëm se çka po denonconte te ai mund të paraqes implikime për vepra penale, por megjithatë po e bënte me shpresë tek ndonjë veprim nga ana e Kurtit.

    “I nderuar kryeministër i Republikës se Kosovës z. Kurti, adresa e vetme për shqetësimin tim në lidhje me rastin jeni ju, pasi që as BD e as ME znj. Rizvanolli nuk janë marr me shqetësimin tim edhe pse i kam informuar menjëherë. Duke u trajtuar  nga Kryeshefi në formën  diskriminuese dhe i shantazhuar, jam i detyruar që të jap dorëheqje dhe të lëshoj punën pas 16 viteve,  ta lë Kosovën të cilën e dua fort.

    Gjithashtu, si një jurist, jam plotësisht e vetëdijshme se përmbajtja e kësaj shkrese paraqet bazë të fortë për vepër penale  keqpërdorim të detyrës zyrtare nga KE.

    Duke mbet me shpresën që do ta shqyrtosh dhe të merresh masa për shqetësimin tim, ju përshëndes!”, thuhet në fund të letrës dërguar Kurtit.

    Disa ditë pasi dha dorëheqje, ai i ka thënë Insajderit që ka pak shpresë që do të merren masa ndaj Dri Cenës duke e konsideruar atë si të “paprekshëm”.

    “Përkundër shkeljeve ligjore të numërtua dhe keqpërdorimit te detyrës zyrtarë prej momentit te marrjes se saj e deri sot  e kësaj dite, Dri CENA është  vazhdon te ushtroj detyrën e kryeshefi pa u marr asnjë masë nga askush si  ”paprekshëm” për shkake të lidhjeve qe i ka me zyrtaret Qeveritar”, ka thënë Fisnik Ferati në një e-mail dërguar Insajderit.

    /Gazeta Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark