×
  • Sport
  • Sport

    Dënohen me burg tifozët që e fyen Viniciusin në baza racore

    Insajderi
    10 June 2024 - 18:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vinicius Junior ka qenë “viktimë” e racizmit në vitet e fundit në Spanjë.

    Sulmuesi i Real Madridit shpesh është përballur me fyerje dhe britma raciste, me ç’rast ka marrë mbështetje të madhe të pjesës tjetër të publikut dhe nga personalitete të njohura.

    E tash, kanë nisur të dënohen ata që e fyen dhe që i shkaktuan dhimbje shpirtërore futbollistit brazilian.

    Real Madridi njoftoi sot se Gjykata Hetuese Nr.10 e Valencias e ka dhënë sot një dënim në përputhje me ligjin për tre të rinjtë e akuzuar se e kanë fyer me britma dhe gjeste raciste lojtarin e këtij klubi, Vinicius Junior në ndeshjen e La Ligas, e cila ishte luajtur më 21 maj të vitit 2023 në stadiumin “Mestalla” ndërmjet Valencias dhe Real Madridit.

    “Të tre të pandehurit janë shpallur fajtorë për një krim kundër integritetit moral të Vinicius Junior, i rënduar nga veprimet me motive raciste dhe secili prej tyre është dënuar me nga tetë muaj burg dhe i është ndaluar hyrja në stadiumet e futbollit për një periudhë dyvjeçare”, shkruan klubi madrilen.

    Tre të akuzuarit e kanë pranuar përgjegjësinë e tyre penale dhe e kanë bërë publike një letër kërkim faljeje drejtuar Vinicius Junior, Real Madridit dhe pjesës tjetër të personave që janë ndjerë të denigruar dhe të ofenduar nga sjellja e tyre.

    Përveçse e shprehën keqardhjen e tyre, tre të akuzuarit u kanë kërkuar falje fansave në letrën e tyre, duke kërkuar që t’i largojnë të gjitha gjurmët e racizmit dhe intolerancës në gara.

    Ky është dënimi i parë për akte të kësaj natyre të dhënë nga gjykatat dhe tribunalet penale.

    Real Madridi njofton tutje se do të vazhdojë të punojë për t’i mbrojtur vlerat e klubit dhe për ta çrrënjosur çdo sjellje raciste në botën e futbollit dhe sportit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark