Gjykata e lartë e Katalunisë e shpalli sot fajtor ish-futbollistin brazilian, Dani Alves, për sulm seksual ndaj një gruaje në një klub nate të Barcelonës në vitin 2022, duke e dënuar atë me katër vjet e gjysmë burg.
Gjykata urdhëroi gjithashtu që Alves t’i paguajë viktimës 150 mijë euro.
“Dënimi vlerëson se është vërtetuar se viktima nuk ka dhënë pëlqimin dhe se ka prova, përveç dëshmisë së paditësit, për të cilësuar dhunimin të provuar”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Alves kishte thënë se seksi ishte konsensual. Prokurori kërkonte një dënim me nëntë vjet burg.
Ish-mbrojtësi 40-vjeçar i Barcelonës u arrestua në janar të vitit të kaluar dhe që atëherë mbahet në paraburgim.
Rasti ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme jo vetëm për shkak të profilit të Alves, por sepse dhuna gjinore është bërë një temë gjithnjë e më dominuese në diskursin publik të Spanjës.
Është një nga gjyqet më të profilit të lartë në Spanjë që kur një ligj i miratuar në 2022 e bëri pëlqimin një element kyç në rastet e sulmeve seksuale dhe rriti kohën minimale të burgut për sulmet që përfshijnë dhunë. /Telegrafi/