×
  • Lajme
  • Lajme

    Dënohet me burg dhe para për korrupsion ish-pronari i kompanisë “Sallahu”

    Insajderi
    03 October 2024 - 14:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë ish-drejtorin e kompanisë “Sallahu”, Naim Sallahun, ndërsa ka liruar nga akuza ish-drejtorin e Njësisë së Auditimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzat Musliun, të cilët akuzoheshin për korrupsion. 

    Aktgjykimi është shpallur të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Sallahu, pasi që për të është provuar se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik”, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

    Sipas gjykatësit Syla, me pëlqimin e të akuzuarit Sallahu, dënimi me burg mund t’i zëvendësohet në dënim me gjobë, ku një ditë burg do t’i llogaritej me 20 euro, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    I akuzuari Sallahu është obliguar gjithashtu të paguajë shpenzimet procedurale, duke përfshirë shumën prej 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro të tjera për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit.

    Ndërkaq, sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Musliu është liruar nga akuza, pasi gjykata nuk ka arritur të provojë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Në fund, gjykatësi Syla theksoi se palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 30 ditësh pas pranimit të tij.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark