×
  • Hulumtime/Analiza
  • Aktuale

    Dënohet me burgim biznesmeni i famshëm, përfituesi i milionave të Policisë së Kosovës

    Insajderi
    20 December 2021 - 17:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Biznesmeni Armend Selimi, është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me burgim për veprën penale “Mashtrim” në tendere. E kaluara e tij, lidhet edhe me korrupsion me furnizimin e armëve. Kishte përfituar goxha shumë në tenderë për armë nga Policia e Kosovës

    Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka gjetur fajtor dhe ka dënuar Armend Selimin pronarin e kompanisë “NTP Friends”.

    Selimi, u dënua për veprën penale “Mashtrim” me gjashtë muaj burgim. Por ai u la i lirë për një tjetër vepër penale me të cilën ngarkohej, atë të “Falsifikimit të dokumentëve”, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Sipas aktakuzës së ngritur në prill të vitit 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Armend Selimi në cilësinë e pronarit të firmës NTP “Friends” në Prishtinë, dyshohej se gjatë periudhës 2013 e deri në korrik të vitit 2014, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka falsifikuar dokumentin më të cilin ka dashur që të fitojë një tender.

    Ai dyshohej se ka falsifikuar certifikatat që kishte dorëzuar Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), duke dashur të importojë produkte medicinale dhe të sigurojë autorizime nga AKPPM.

    Me këtë rast, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe atë të “Falsifikimit të dokumenteve”.

    Të hënën u dënua për “Mashtrim” por u lirua nga gjykata për veprën “Falsifikim Dokumentesh”.

    E kaluara e dyshimtë e Armend Selimit që lidhet me trafik armësh

    Në tetor të vitit 2011, Policia e EULEX-it në Kosovës kishte arrestuar gjashtë persona të dyshuar për korrupsion në lidhje me furnizimin e armëve për policinë e Kosovës. 

    Në mesin e të arrestuarve ishte edhe bisnesmeni Armend Selimi, shkruan Indajderi.

    Si pronar i firmës “Friends” dyshohej se kishte siguruar një marrëveshje që dyshohej të jetë e korruptuar me një tender në tetor 2008.

    Tri nga kompanit në mesin e të cilave edhe “Friends” dyshohej se nga 2007-ta kishin fituar kontrata me vlerë prej së paku 6,2 milionë euro nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare. 

    Ato kompnai në të mesin e të cilave ishte edhe “Friends”, kishin fituar kontratat të shumta me Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, Forcën e Sigurisë të Kosovës, Komisionin Europian në Kosovë dhe me EULEX-in. 

    Kontratat kryesisht përfshinin furnizimin me armë, municion, kuzhina, biçikleta, uniforma për policë dhe zjarrfikës dhe pajisje monitoruese transmetuese.

    Bashkë me Armend Selimin i përfshirë në këtë skandal ishte edhe ortaku i tij, Astrit Pira.

    Prokuroria Speciale në janar të vitit 2015 ngriti aktakuzë ndaj tyre dhe dy zyrtarëve policorë dhe një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Në maj të vitit 2015 aktakuza u hodh poshtë me arsyetimin se Prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit dhe se aktakuza ishte ngritur pas afatit dy vjeçar.

    Përveç hetimeve në aferën e njohur si skandali i armëve autoritetet policore kanë pasur edhe probleme tjera me tandemin Selimi-Pira.

    Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e publikuar më 2012 kishte konkluduar se tenderi për furnizim me autoblinda ishte i kurdisur.

    Fitues i tenderit ishte kompania N.T.P Friends që është në pronësi të Armend Selimit.

    Afro 700 mijë euro kishte përfituar kjo kompani nga ky tender në korrik të vitit 2011.

    Tri firmat, Jolix, Friends dhe Amici, të drejtuara nga Pira dhe Selimi nga viti 2007 deri më 2011 kanë fituar kontrata në vlerë 6.2 milionë euro nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

    Mbi 1 milionë euro kanë përfituar vetëm nga Policia e Kosovës.

    Njëra prej tyre, kompania NTP Friends, tashmë e ka të ndaluar që të fitojë nga kontratat publike.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit më 18 shkurt 2015 i ndaloi kësaj kompanie pjesëmarrjen në tenderë publikë.

    Konkuldoi se në qershor të vitit kjo kompani dorëzoi në Ministrinë e Shëndetësisë dokumente të falsifikuara kur iu kërkua dëshmi për cilësinë e mallit.

    Kompania kishte konkurruar në tenderin për furnizim me material shpenzues dhe pajisje medicinale. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark