Mëngjesin e sotëm ministri i Financave, Hekuran Murati, e bëri një reagim përmes të cilit u bëri thirrje mërgimtarëve që mos ta paguajnë sigurimin kufitar kur të hyjnë në Kosovë.
Reagimi i tij u bë për shkak që disa bashkëatdhetarë nga Kosova u është dashur që të paguajnë policën kufitare – ani se me vendim të Qeverisë, ata janë të liruar nga pagesa.
Se dikush në kuadër të Byrosë së Sigurimeve ka keqpërdorur pozitën duke u marrë para mërgimtarëve për një pagesë për të cilën janë të liruar, e konfirmuan për Insajderi edhe mbikëqyrësit e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) – Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Në përgjigjen e tyre BQK thotë se janë në dije se të ekzistimit të disa dyshimeve për raste të praktikave të papranueshme dhe të paligjshme.
Raportimet për këtë këto keqpërdorime financiare Banka Qendrore e Kosovës i ka adresuar edhe në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS).
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të mandatit të saj mbikëqyrë Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), ku përfshihet edhe administrimi i policave të sigurimit dhe kujdesi i duhur ndaj policëmbajtësit. Ne jemi në dijeni të ekzistimit të disa dyshimeve për raste të praktikave të papranueshme dhe të paligjshme, të cilat janë adresuar tek BKS-ja si autoritet përgjegjës për policat e sigurimit kufitar”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e BQK-së.
Nga BQK u bëjnë thirrje qytetarëve që pagesa e policave të sigurimit është falas dhe mos të paguajnë në asnjë formë.
“BQK në rolin mbikëqyrës dhe rregullator si palë nënshkruese në Memorandumin e Mirëkuptimit që është në fuqi lidhur me policën kufitare me kujdes shqyrton zbatimin e duhur të saj. BQK-ja është e përkushtuar që të adresojë çdo shqetësim apo shkelje që paraqitet gjatë zbatimit të këtij procesit, apo në çdo fazë të mëvonshme, në pajtim me praktikat mbikëqyrëse dhe legjislacionin e aplikueshëm. E shohim të nevojshme të ri-theksojmë nevojën që qytetaret të informohen saktësisht lidhur me Policën Kufitare 1-mujore e cila subvencionohet plotësisht (100%) dhe është falas për policëmbajtësin”, përfundon përgjigja e Bankës Qendrore dhënë për Insajderin.
Gazeta Insajderi kohët e fundit ka raportimet për keqpërdorime dhe dallavere që kanë ndodhur edhe më herët në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS).
Derisa, në reagimin e tij, ministri Hekuran Murati, u bëri thirrje mërgimtarëve që përvec që mos ta paguajnë policën kufitare kur të hyjnë në Kosovë, t’i raportojnë edhe zyrtarët që kërkojnë t’a bëjnë një gjë të tillë.
“Të dashur bashkatdhetarë, MOS PAGUANI PËR SIGURIMIN KUFITAR! Policat kufitare 1-mujore për vetura deri në 9 pasagjerë janë të mbuluara nga Qeveria, dhe nuk ka nevojë të paguhet për to, kur hyni në pikat kufitare. Kemi raportime nga disa bashkatdhetarë se punonjës të papërgjegjshëm të Byrosë Kosovare të Sigurimit nuk informojnë saktë që polica kufitare është e subvencionuar, dhe madje edhe i detyrojnë bashkatdhetarët që të paguajnë për së dyti, për polica që tashmë janë të paguara nga Qeveria. Ftoj të gjithë ata bashkatdhetarë që janë ballafaquar me raste të tilla, ku u është kërkuar të paguajnë për policën kufitare e që do duhej ta merrnin falas, që rastet t’i raportojnë tek policia në numrin ☎️ 192. Disa raste tashmë janë raportuar dhe kemi pasur edhe procedimin penal për punonjësit e BKS-së. Njëkohësisht ftoj edhe Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që t’i trajtojnë me prioritet këto raste të keqpërdorimeve”, thuhet në thirrjen e Muratit.
/Insajderi.org/