Prokuroria në Prishtinë ka konfirmuar se ka nisur një procedurë penale në rastin ku me kallëzim penal janë denoncuar zëvendësdrejtori i ATK-së dhe disa zyrtarë me pozita e inspektorë të këtij institucioni. Gazeta Insajderi ka raportuar për këtë denoncim, ku një biznesmen pretendon se ia kërkuan 900 mijë euro ryshfet.
Visar Duriqi
Shënim: Ky artikull është edituar
Në janar të këtij viti në një operacion me shumë forca policore u arrestua biznesmeni Feim Pulaj bashkë me 12 zyrtarë të ATK-së. Si rrallë, nuk u caktua paraburgim nga Gjykata.
Si rrallëherë, Gjykata refuzoi të fuste në transkript zyrtar atë se çka deklaroi biznesmeni në seancë. Kishte raportuar vetëm Insajderi për akuzat e bujshme që bëri ky biznesmen që ditën që doli para Gjyqit.
I akuzonte shefat e disa inspektorë të ATK-së se i kërkuan afro 900 mijë euro ryshfet. Gjashtë muaj më vonë ai ka pranuar që të jep një intervistë. Ka përmendur emra. Detaje. Ka zbuluar se tashmë ka bërë edhe një kallëzim penal ku preket hiq më pak se sa numri dy i ATK-së, Nijazi Asllan, disa zyrtarë të lartë e inspektorë të ATK-së.
Ai ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për Gazetën Insajderi ku ngre pretendimet e tij për këtë aferë ryshfeti.
Në këtë Intervistë ai ka treguar se si iu kërkuan këto 900 mijë euro, sipas ti ryshfet. Ku e dërguan që të ia bënin këtë kërkesë. Si, sipas tij, e shantazhuan duke i thënë që nëse nuk e jep ryshfetin ke me përfundu 4-5 vite nëpër Prokurori e Gjykata.
Shiko intervistën këtu:
Afro një muaj pas deponimit të këtij kallëzimi penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, në këtë institucion kanë pranuar që të japin një informacion fillestar se çka po ndodhë me pretendimet e bujshme të Pulajt.
Nuk kanë pranuar që të japin përgjigje të drejtpërdrejt se a janë nisur hetime, dhe kush është i dyshuar, por vetëm që kanë nisur procedurë penale.
“Ju njoftojmë se kallëzimi penal për çështjen në fjalë është pranuar dhe se i njëjti është duke u shqyrtuar”, thuhet në përgjigjen me shkrim dhënë nga Prokuroria në Prishtinë për Gazetën Insajderi.
Gazeta Insajderi qe afro një muaj ka njoftuar edhe ATK-në për deponimin e këtij denoncimi, por deri tash nga ta nuk ka marrë përgjigje, as pasi që i ka njoftuar me faktin që Prokuroria ka nisur procedurat.
Çka thuhet në kallëzimin penal?
Në kallëzimin penal që e ka siguruar Gazeta Insajderi, e për të cilin Prokuroria thotë se po e shqyrëton, pretendohet se Zëvendësdrejtori i ATK-së Njazi Asllani Zv.Drejtori i Hetimeve Tatimore Divizioni Intelegjenca financiare, Jeton Dragusha dhe Inspektorët tatimorë: Bilall Dragusha, Valon Neziri, e Fidan Tolaj, dhe personat e tjerë zyrtarë të cilët do mund të identifikohen se a kanë kryer vepër penale.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit Njazi Asllani cilësi të personit zyrtar si zv.drejtor i përgjithshëm i ATK, Jeton Dragusha në cilësi të personit zyrtar si zv.drejtor i hetimeve tatimore-divizioni inteligjenca financiare, si dhe Bilall Dragusha, Valon Neziri, Fidan Tolaj, në cilësi të personave zyrtarë si inspektor tatimor duke qenë të vetëdijshëm për veprimet e tyre inkriminuese dhe duke dëshiruar kryerjen e të njëjtave me qëllim që kompanisë së ‘Blueplan Kosova AG Sh.P.K’. ti shkaktojnë dëm’, thuhet në këtë denoncim.
Sipas denoncuesit, analiza deduktive e këtyre dy dispozitave ligjore në lidhje me rastin konkret të veprimeve nga ana e zyrtarëve që kanë kryer raportin e datës 21.10.2021, “konkludohet se të njëjtit, Njazi Asllani, Jeton Dragusha, Billall Dragusha, Valon Neziri dhe Fidan Tolaj, duke vepruar ne bashkëkryerje, kanë vepruar pa asnjë kompetence ligjore për ndërmarrjen e veprimeve qe kane kryer dhe në kundërshtim më ligjin e po ashtu duke tejkaluar autorizimet ligjore dhe duke e keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar gjate marrjes së veprimeve konkrete për kryerjen e raportit të kontrollit të datës 21.10.2021, sepse këtë të drejtë sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ të saj e ka vetëm Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, e në rastin konkret është aplikuar raporti i rikontrollit të datës 21.10.2021 me nr.458/21 dhe ndër të tjera është me delegim të autorizimit nga ana e zv. Drejtorit të përgjithshëm te ATK-së, e që ligjërisht kjo është e ndaluar apo nuk është e paraparë që zv.Drejtori mund të delegojë kompetencat e tij tek ndonjë zyrtar tjetër tatimor drejt marrjes se veprimeve konkrete drejt aplikimit të ri kontrollit siç është ajo e datës 21.10.2021”
“Në rastin konkret ne veprimet e te dyshuarve shihet se janë manifestuar te gjitha elementet e figurës së veprës penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar për shkak se veprimet e te pandehurve janë të kundërligjshme, këto veprime të njëjtit i kane kryer me dijeni te plote se janë duke shkelur ligjin dhe se me këto veprime do t’i shkaktojnë dëm”, thuhet në kallëzimin penal./Gazeta Insajderi