
Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se Krimet Ekonomike sot kanë intervistuar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, si dhe Naim Shalakun, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore pranë këtij institucioni.
Nikçi dhe Shalaku janë ndaluar për 48 orë. Hekuran Nikçi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës” si dhe “Përdorimi i paautorizuar të pasurisë”.
Insajderi ka biseduar me Ngadhnjim Makolli avokatin e denoncuesit të rastit, ai ka sqaruar se Ahmet Delollit i ishte ndaluar qasja në objektin ku punonte.
Madje edhe duke u ndërruar cilindri i derës së zyrës.
“Ndaj Ahmet Delolli është marrë masa disiplinore e ndalesës në pagë prej 30% për një periudhë prej tre muajsh, bazuar në procesverbalin e Komisionit Disiplinor. Më pas, me një vendim të mëtejmë i cili buron nga procesverbali i Komisionit Disiplinor, i është shqiptuar masa disiplinore e uljes në pozitë. Z. Delolli ka paraqitur kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi deri në shqyrtimin e tij nga Këshilli Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kërkesë e cila është aprovuar nga Burimet Njerëzore. Megjithatë, kur ai është paraqitur në vendin e tij të punës, nuk ka pasur qasje në objekt, pasi gjatë natës ishte ndërruar cilindri i derës së zyres”, tha ai.
Me urdhër të Nikçit, sipas tij, Delolli është ndaluar nga policia të hyj në objekt
“Për më tepër, me urdhër të Kryeinspektorit, ai është ndaluar nga Policia të hyjë në ambientet e punës. Kjo situatë ngre shqetësime serioze mbi respektimin e procedurave disiplinore dhe të drejtave të punonjësve, veçanërisht kur ekziston një vendim për pezullimin e ekzekutimit të masës. Institucionet dhe organet përgjegjëse duhet të sigurojnë që çdo veprim të ndërmerret në përputhje me ligjin, duke respektuar parimet e transparencës, të drejtës për punë dhe procedurave të rregullta disiplinore”, tha avokati Makolli për Insajderin.