Ndaj kryeshefes ekzekutive, Burbuqe Hana, drejtorit të Financave, Feim Kelmendi dhe menaxheres së Burimeve Njerëzore, Hajrije Mustafa – Hykollit është deponuar një kallëzim penal pranë Prokurorisë Speciale.
Kallëzimi penal ndaj zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes publike është ngritur nga një ish-punonjës i kësaj ndërmarrje, për disa pretendime lidhur me shkeljen e ligjit.
Më saktësisht, siç ka marrë vesh Insajderi, bëhet fjalë për kryerjen e pagesave për një kontratë të caktuar pa marrëveshje dhe ndërprerje të marrëdhënies së punës “në kundërshtim me ligjin”.
Pjesë e kallëzimit penal janë Hana, Kelmendi dhe Mustafa-Hykolli. Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë vetëm një pjesë të kallëzimit penal që është deponuar në Prokurorinë Speciale.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Telekomin e Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk janë në dijeni për këtë kallëzim penal. Zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje, Fadil Lepaja, ka thënë se asnjëri nga të përmendurit s’është ftuar nga Prokuroria për intervistim.
“Jo, nuk kemi asnjë informatë dhe nuk ka asnjë ftesë zyrtare lidhur me këtë “kallzim penal”. Lidhur me këtë dijmë aq sa kemi parë në media. Jo, askush nga zyrtarët që i përmendni nuk është ftuar nga prokuroria”, thuhet në përgjigjen e Lepajës për Insajderin.
Më 6 nëntor, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Telekomi i Kosovës sqarim për disa kontrata njëburimore që kjo ndërmarrje i ka bërë.
Lajmin për këtë e ka bërë vet drejtori i Financave në këtë ndërmarrje, Feim Kelmendi.
Kelmendi përmes një shkrimi në Facebook, akuzon Prokurorinë se është “shndërruar në organizatë kriminale që është vënë në shërbim të partive politike,” dhe se “po përdor metoda shantazhi duke inskenuar hetime pa asnjë bazë, për të krijuar propagandë ndaj njerëzve të ndershëm dhe punëtorë”.
Ai thekson se ndërsa prokuroria ka të drejtë të nisë hetime për çështje të dyshimta, “është tepër shqetësues fakti se çka Prokuroria po e cilëson si hetime.”
Sipas tij, përdorimi i termave si “kontratë një burimore” nuk është terminologji ligjore, duke sugjeruar se ky term është i “rrugëve” dhe jo ligjor.
“Termi ligjor është Procedurë e Negociuar e Tenderimit,” shkruan Kelmendi, duke kritikuar prokurorinë për përdorimin e gjuhës që, sipas tij, ngjan më shumë me atë të përdorur në studiot televizive sesa në procedurat zyrtare.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, shpërndau këtë postim të Kelmendit, në të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës kritikohet ashpër. Madje përdoret edhe shprehje skandaloze si “Prokuroria Speciale veç nëse na kapen për aty ku s’thuhet”. /Insajderi.org/