Deputetët akuzojnë kryeministrin për keqmenaxhim të 2 milionë eurove – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetët akuzojnë kryeministrin për keqmenaxhim të 2 milionë eurove

    Insajderi
    23 November 2016 - 16:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjatë shqyrtimit të raportit të Auditorit për Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, anëtarët e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje Financiare evidentuan disa keq planifikime dhe keq menaxhime të mjeteve financiare.

    Kryetari i Komisionit, Faton Topalli, vlerësoi se ZKM gjatë vitit 2015 kishte keq planifikuar 1 milionë e 700 mijë euro, kurse sipas tij, 31 mijë euro janë keq menaxhuar për subvencione, ngase nuk ka pasur dëshmi.

    “Kemi keq klasifikim të mjeteve në vlerë prej 1 milionë e 700 mijë euro, një problem që po na përsëritet në shumicën e organizatave buxhetore, kemi keqpërdorim të mjeteve të subvencioneve në kuptim që jepen subvencionet nuk kontrollohen dhe nuk arrihet qëllimi për të cilin janë synuar. Mos regjistrim të pasqyrave financiare ashtu siç duhet. Kemi problem sa i përket identifikimit të rreziqeve. Dhe problem kryesor është mungesa e auditorëve, është vetëm një auditor për gjashtë agjenci që janë brenda kësaj Kryeministrie”, tha Topalli.

    Për këto çështje të ngritura në komision, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Fitim Krasniqi ka arsyetuar duke thënë se ajo çfarë ka ndodhur me subvencionet në vlerë prej 31 mijë euro ka ndodhur pa fajin e tyre meqë sipas tij mungon një rregullore e cila do të kishte mbikëqyrje më të madhe. Sipas tij, prej 1 milionë e 400 mijë euro subvencione 31 mijë euro nuk ka pasur dëshmi të sakta për shkak të vonesave të ndryshme, por Krasniqi beson se nga ky aspekt nuk kanë ndonjë problem në zbatimin e këtij rekomandimi.

    “Në bazë të ligjit për menaxhimin e financave publike neni 52, Ministria e Financave është përgjegjëse për hartimin e një Rregulloreje që do ta miratonte Qeveria për dhënien të subvencioneve, granteve, donacioneve, kritereve dhe besoi se me miratimin e kësaj Rregulloreje do ta rregullonte një herë e mirë, jo vetëm në ZKM, por të gjitha organizatave buxhetore, ku jepen subvencionet. Mungesë të kësaj rregulloreje edhe ne si ZKM kemi pasur të pa mundur që ta menaxhojmë 100 përqind…Sa i përket shumës prej 31 mijë euro mund t’ju njoftoj se pas adresimit nga ana e auditorit ne kemi ndërhyrë të Zyra e Komuniteteve dhe janë dorëzuar dëshmitë përkatëse, kanë qenë me vonesë, por janë dorëzuar”, tha Krasniqi.

    Ai shtoi se tutje sa i përket çështjes së avansave është një rekomandim që gjithmonë përsëritet nga auditori, kjo sipas tij, ndoshta për shkak të specifikave të ZKM nga udhëtimet shpeshta dhe agjendave të bisedimeve në Bruksel. Andaj, Krasniqi tha se kjo është e pamundur edhe pse sipas tij, për çdo javë e monitoron këtë proces. Ai kishte kërkuar që asnjë avancë mos të hapet e dyti pa u mbyllur i pari.

    Anëtarët e Komisionit, Naim Fetahu nga PDK dhe Ali Sadria nga LDK ngritën çështjen e keq klasifikimit të mjeteve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. Mbi 1 milionë e 700 mijë euro ishin planifikuar për investime kapitale, por këto mjete u shfrytëzuan për mallra e shërbime dhe subvencione.

    “Theksimi i çështjes është për keq klasifikimin e kategorive nga kategoria e investimeve kapitale gjatë vitit ishin paguar 1 milionë e 763 mijë e 717 euro për projektet e AUV-it, ku të gjitha këto shpenzime ishin për artikuj, mallra dhe shërbime si dhe për subvencionimin e fermerëve”, theksoi Fetahu.

    Kryeshefi i i AUV, Valdet Gjinovci, ka arsyetuar këto mjete të lartpërmendura, duke thënë në Komision se janë në përpjekje që prej vitit 2010 që të kategorizojnë në mënyrë të drejtë buxhetin dhe orientimin e duhur, por që nuk kanë marrë as një herë aprovim nga Ministria e Financave. Ai shpreson se kjo çështje do të rregullohet nga ky vit të paktën.

    “Ne në vitin 2015 në kornizën afatmesme të shpenzimeve kemi bërë edhe planifikimet për vitin 2016-2018 dhe kategorizimin e drejtë të buxhetit dhe atë se ku duhet të orientohen planifikohen në mënyrë të duhur. Mirëpo, deri më sot nga Ministria e Financave nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Edhe ne ketë e kemi ngritur si shqetësim që është diskutuar edhe me auditorin…. Janë shkresat të cilat janë drejtuar që nga viti 2010, e fundit është në vitin 2016. Shpresojmë se sivjet të merr kjo drejtimin e duhur”, tha Gjinovci.

    Ndërsa, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave kishte paraparë që në takimin e sotëm të shqyrtojë edhe Raportin e Auditorit për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Por, në mungesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, anëtarët e këtij Komisioni vendosën që ta ftojnë në raportim edhe njëherë ministrin Hoxhaj.

    Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, tha se nëse nuk i përgjigjet Komisionit edhe herën e tretë ministri Hoxhaj, atëherë raporti për MPJ-në duhet të shkojë për shqyrtim në Kuvend.

    Faton Topalli, nga VV, tha se nuk i di arsyet se pse Hoxhaj nuk ka ardhur në Komision dhe është treguar kaq i papërgjegjshëm në raportim. Topalli tha se jo zyrtarisht është i njoftuar se Hoxhaj gjendet jashtë vendit.

    Me shumicë votash Komisioni vendosi që ministri Enver Hoxhaj të ftohet edhe një herë në mbledhjen e ardhshme të këtij Komisioni, në afat prej dy javësh./Periskopi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark