Deputetët votuan rezolutën për lirimin e Thaçit pa i ndërprerë bisedimet me Serbinë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetët votuan rezolutën për lirimin e Thaçit pa i ndërprerë bisedimet me Serbinë

    Insajderi
    12 October 2016 - 13:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme kishin para vetës për votim dy rezoluta, përmes së cilave kërkonin lirimin e drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçi.

    Njëra rezolutë ishte propozuar nga partitë në pushtet që nuk kërkonte ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë dhe tjetra nga partitë opozitare që pikë të veçantë kishte ndërprerjen e tyre.

    Me 51 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime kaloi rezoluta e propozuar nga deputeti Armend Zemaj në emër të partive të koalicionit e cila përmbante 6 pika, por që nuk kërkonte ndërprerjen e bisedimeve me palën Serbe, raporton Insajderi.

    Pikat e rezolutës për lirimin e Nehat Thaçit:

    “1.Lirimi i menjëhershëm të drejtorit të policisë së rajonit të Mitrovicës

    2.BE-ja si ndërmjetësues përmes mekanizmave të ndërhyjë në Serbi për lirimin e zotit Thaçi.

    3.Çdo komunikim rreth rastit të Thaçit deri në lirimin e tij të bëhet vetëm përmes Zyrës së Mogherinit.

    4 .Qeveria t’i bëjë me dije BE-së se veprimet e tilla të Serbisë rrezikojnë përmirësimin e marrëdhënieve.

    5 .Misioni i EULEX-it të deklarohet për këtë rast dhe kërkojmë angazhim të drejtpërdrejtë të tij.

    6.Kërkojmë nga Interpoli që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate”.

    Ndërkaq rezoluta e propozuar nga Gëzim Kelmendi në emër të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës që kërkonte ndër të tjera edhe ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë deri në lirim e Thaçit, mori vetëm 19 vota.

    Në këtë seancë gjithashtu ishte propozuar që mëditjet e deputetëve të shkojnë për familjen e Nehat Thaçit, por kur u doli në votim ky propozim, nga 86 deputetë sa ishin prezent në sallë, vetëm 38 prej tyre votuan,  36 për, një kundër dhe një abstenim.

    Nehat Thaçi është arrestuar me 29 shtator derisa po kalonte nëpër Serbi, nën dyshimin se ka kryer vepër terroriste. Gjykata në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark